Pesë raste të dhunës në familje të raportuara 24 orët e fundit në Kosovë
Policia e Kosovës ka raportuar për pesë raste të dhunës në familje që kanë ndodhur brenda një dite në komunat e Prishtinës, Gjakovës dhe Malishevës, përfshirë raste të dhunës psikike dhe fizike mes anëtarëve të familjes dhe ndërmjet grave.
Foto: Ilustrim
Në Prishtinë, një grua është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj anëtarëve të familjes së saj. Pas inicimit të rastit, dhe në konsultim me prokurorin e shtetit, ajo është liruar në procedurë të rregullt.
Në Gjakovë, Policia ka arrestuar një burrë që dyshohet se në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj tre viktimave femra. I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Po në Gjakovë, një tjetër grua është arrestuar nën dyshimin se ka rrahur një grua tjetër. Edhe në këtë rast, pas konsultimeve me prokurorin, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë në Malishevë, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj një gruaje. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit.
Rasti i pestë është regjistruar po ashtu në Gjakovë, ku një grua dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje tjetër pas një mosmarrëveshjeje. Viktima është trajtuar mjekësisht, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit nga hetuesit policorë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të gjitha rastet janë iniciuar dhe janë duke u trajtuar në bashkëpunim me prokurorinë kompetente.