Përplasje mes SBASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit për kompensimin e orëve të humbura

  • 14.03.2019, 17:38

U bënë rreth 1 muaj që SBASHK-u e Ministria e Arsimit nuk po munden të gjejnë një marrëveshje për orët e humbura nga greva 3 javëshe nga SBASHK-u për rritjen e koeficientit të pagave deri deri në 30%.

Shkaku i mosmarrëveshjes, e shtyu SBASHK-un që ta padisë ministrin e arsimit për shkak të vendimit për kompensimin e orëve, por këtë padi gjykata ia refuzoi Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës.

Por, edhe pse Gjykata ia refuzoi padinë SBASHK-ut ku kishte për qëllim pezullimin e vendimit për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës, kjo sindikatë përsëri nuk heqë dorë nga vendimi që ata kanë marrur për mos kompensimin e orëve.

Gjatë një interviste për lajmi.net, Rrahman Jashari, kryetari i SBASHK-ut, deklaroi se sindikata e udhëhequr nga ai (SBASHK), nuk ka ndërmend që të përfillë vendimin e MASHT-it për orët e humbura.

Por, siç është bërë e ditur disa shkolla të Komunave të ndryshme po e përfillin vendimin e MASHT-it por, sipas Jasharit një gjë e tillë po bëhet për shkak të presionit të Ministrisë së Arsimit

“Pas presionit të ministrisë së Arsimit, disa shkolla nuk e kanë përkrahur vendimin e SBASHK-ut. Megjithatë në jemi të vendosur dhe se do të presim verdiktin e gjykatës në lidhje me këtë çështje”, ka thënë ai.

Jashari po ashtu ka bërë të ditur se në  lidhje me këtë, nesër do të mbahet takim me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim, ku pritet të diskutohet edhe ky problem.

E krejt ndryshe thonë nga ministria e Arsimit.

Valmira Gashi, zëdhënës në këtë ministri, për lajmi.net tha se vendimi për kompensimin e orëve të humbura është në interes të nxënësve, në mënyrë që atyre t’u rikuperohet dëmi që është shkaktuar nga greva.

“Vendimi i Ministrit për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës ka qëllim tejet pozitiv, është në përputhje me interesin e nxënësve, në mënyrë që të rikuperohet dëmi që u është shkaktuar atyre nga greva”, ka thënë Gashi për lajmi.net.

Megjithëse Gashi thotë, se forma e planifikuar e zëvendësimit të orëve është bërë në koordinim të plotë me Drejtoritë Komunale të Arsimit, ai nuk specifikon nëse kompensimi i tyre do të bëhet edhe gjatë pushimit të verës.

“Lidhur me vendimin ne fjalë, ju njoftojmë se forma e planifikuar për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës se organizuar nga SBASHK-u është bërë në koordinim të plotë me Drejtoritë Komunale të Arsimit”, ka thënë tutje Gashi.

“Nuk ka asnjë dispozitë ligjore që e ndalon zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës, madje vendimi është marrë në përputhje të plote me udhëzimin administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2018/19”, thotë Gashi.

Kujtojmë, se Sindikata e Bashkuar e Arsimit kishte hyrë në grevë e cila kishte zgjatur tre javë.

Greva ishte organizuar me qëllim përmbushjen e kërkesave të sindikalistëve, ku përfshihej rritja e pagave dhe rritja e koeficientit për 30 për qind në Ligjin e ri.

Të tjera