Seanca e vazhduar, e 21-ta me radhë, pritet të fillojë në orën 11:00, me shpresën për të thyer ngërçin politik dhe për të finalizuar konstituimin e organit legjislativ të vendit.

Kjo vjen pas dështimit të përpjekjes së 20-të të premten, ku sërish nuk u arrit formimi i komisionit për votim të fshehtë, i cili është i nevojshëm për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Kryesuesi i seancës edhe një herë u kërkoi subjekteve politike parlamentare që ende nuk kanë propozuar emrat e anëtarëve për komisionin zgjedhor, ta bëjnë këtë. Megjithatë, nuk pati propozime të reja.

Në vazhdim, kryesuesi procedoi me votimin e komisionit me anëtarët e propozuar në seancat e kaluara. Gjatë votimit morën pjesë 53 deputetë, të cilët votuan pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim.

Ndërkohë që dështimet për konstituimin e Kuvendit po përsëriten, partitë politike vazhdojnë të hedhin fajin tek njëra-tjetra për bllokadën politike të krijuar. Pritet të shihet nëse përpjekja e sotme do të sjellë ndonjë progres në këtë proces të gjatë dhe të komplikuar.