Përmendet mundësia që të dënuarit e rastit “Kumanova” ta mbajnë burgun në Kosovë

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se ka biseduar me homologen e tij nga Maqedonia e Veriut për mundësinë që personat që janë të burgosur në rastin “Kumanova” në momentin kur e marrin epilogun final nga Gjykata të ekstradohen në shtetin tonë për të mbajtur dënimin.

Kjo deklaratë e ministrit erdhi pas pyetjes së deputetit të AAK’së, Gazmend Sylës.

“A keni diskutuar për grupin e Kumanovës”, ka pyetur Syla ministrin.

Selimi tha në seancë se me të marrë detyrën ka pasur kontakte me homologen e tij në Maqedoninë e Veriut, shkruan <<Express>>.

Ai tha se janë duke diskutuar mundësinë e një marrëveshjes për ekstradimin e shtetasve që dënohen me burg në dyja shtetet.

“Me të marrë detyrën e kam vendos kontakte me ministrinë e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut. Në takim kemi biseduar edhe për trajtimin e qytetarëve që ndodhen në shërbimin korrektues së Maqedonisë së Veriut. I kam treguar se jemi duke i ndjekur me interes të veçantë rastin në fjalë”, ka thënë ai.

I njëjti shton se do të merren vesh për ekstradim pas vendimit përfundimtar të Gjykatës për rastin.

“Do të angazhohemi në rritjen e hapësirave dhe jemi të gatshëm që të lidhim marrëveshje ekstradimi me Maqedoninë e Veriut kurdo që ky rast merr epilogun. Ne besojmë që drejtësia nuk do të jetë diskriminuese”, ka thënë Selimi.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.