Sot, në Prishtinë, pranë objektit të “Kinemasë ABC”, ku gjindet edhe murali i aktivistit Astrit Dehari, u mbajt aktivitet përkujtues në përkujtim të Astritit dhe në kërkim të drejtësisë për vrasjen makabre të tij në rrethana të panjohura në burgun e Prizrenit. Qindra qytetarë ndër të cilët edhe Kryetari i Lëvizjes Albin Kurti ndezën qirinj në përkujtim të Astritit.
Në fjalën e saj të rastit aktivistja e shoqëërisë civile dhe anëtarja e trupës koordinuese “Unë jam Astriti”, Jeta Berisha, duke kërkuar drejtësi për Astritin njoftoi për marshin protestues të 5 nëntorit që do të mbahet prej orës 12:00 te Sheshi “Skenderbeu” në kërkim të zbardhjes së kësaj vrasje.
Pasi falenderoi qytetarët që ju bashkuan këtij aktiviteti përkujtues, babai i Astritit, Avni Dehari, theksoi se me raportin e ekpertizës zvicerane është tejkaluar beteja e parë e përmbysjes së tentativës së institucioneve vrastare për ta nxjerr vdekjen e Astritit si vetvrasje. Tash është koha për betejën e dytë për të zbuluar deri në fund kryerësit e kësaj vrasje dhe për ta ndriquar rastin deri në fund.
