Pas një marshimi nga sheshi “Skënderbeu” drejt Ministrisë së Ekonomisë, protestuesit lënë parullat e tyre dhe kërkesat për autoritetet përkatëse. Aktivisti Sefaj u shpreh se nëse nuk merret një vendim brenda javës, protestat do të vazhdojnë dhe do të intensifikohen.
“Po i lëmë te zonja Ministre që të hënën t’i shohin aty. Nëse nuk merret vendimi, protestat tona masovike do të vazhdojnë,” tha ai, duke paralajmëruar një reagim të fortë nëse nuk merret parasysh kërkesa e qytetarëve.
Në fillim të protestës, Besnik Shabiu u bëri thirrje institucioneve që të reflektojnë deri më 11 prill, kur ZRRE do të marrë vendimin për çmimin e energjisë. Ai theksoi se, nëse ky çmim nuk do të rishikohet, protesta do të bëhet më masive. “Do të jemi të detyruar të ngrisim zërin dhe nuk do të lejojmë që jeta e qytetarëve të vështirësohet. Hiqni dorë nga kjo ide e shtrenjtimit të energjisë elektrike,” tha ai.
Gjatë protestës u shfaqën parulla të ndryshme, mes të cilave “Fatura jonë, pasuria juaj”, “Stop vjedhjes me tarifa”, dhe “Jemi populli më i varfër në Evropë”, duke theksuar pakënaqësinë e qytetarëve për rritjen e tarifave dhe pasojat e mundshme për familjet dhe ekonominë e vendit.

