Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, më 29 maj 2025, janë kontrolluar 10 lokacione në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë, duke përfshirë shtëpi private, zyra të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe biznese të auto-shkollave.
Hetimet, të cilat kanë zgjatur disa muaj, kanë zbuluar se 11 persona dyshohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, pranim ryshfeti në sektorin privat, ushtrim ndikimi dhe posedim të paautorizuar të armëve. Ata dyshohet se kanë ndihmuar kandidatët të marrin patentë shoferësh në mënyrë të paligjshme, duke përfituar materialisht nga kjo veprimtari.
Gazeta Sinjali ka raportuar gjatë ditës identitetin e tre personave të arrestuar në Gjakovë: Kamer Shabani, drejtor i Qendrës për patentë-shoferë në Gjakovë, Saber Arifaj, pronar i një auto-shkolle, dhe Sadri Sutaj, ekzaminer i patentë shoferëve.
Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar një armë AK47, dy revole, 224 fishekë, para të gatshme në euro dhe franga zvicerane, 17 telefona, 3 kompjuterë, 2 USB dhe dokumentacion të rëndësishëm.
“Dhjetë nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt. Hetimet vazhdojnë,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Ky aksion i gjerë tregon përpjekjet e Policisë së Kosovës për të luftuar korrupsionin në sektorë të ndryshëm, përfshirë edhe atë të pajisjes me patentë shoferë.