Koalicioni Përafrohen VV-LDK, marrëveshja mund arrihet para seancës konstituive?!

Kanë mbetur edhe 2 ditë para se të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, kjo datë e cila u caktua nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por LVV e LDK ende nuk kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.

Por, sot pritet të takohen Albin Kurti e Isa Mustafa për një përpjekje për të arritur koalicionin qeverisës.

Së fundmi janë përafruar qëndrimet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për arritjen e koalicionit mes këtyre dy partive.

Burime të Gazeta Blic, bëjnë të ditur se koalicioni mes LVV-së dhe LDK-së, mund të arrihet edhe para seancës konstituive, e cila pritet të mbahet këtë të shtunë.

Megjithatë në këtë përafrim të marrëveshjes, do të përjashtohet posti i presidentit, ku për këtë pozitë është lënë të diskutohet më vonë, afër kohës kur pritet të bëhet zgjedhja e tij.

“Tashmë janë përafruar qëndrimet mes dy partive. Ka shumë gjasë që marrëveshja të arrihet para ditës kur është paraparë të mbahet mbledhja e parë e Kuvendit. Çështja e presidentit është lënë që të diskutohet më vonë”, i ka thënë ky burim Gazetës Blic.

Po ashtu për këtë përafrim ka folur edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili tha për Radio Evropa e Lirë se realisht, do të jetë e panatyrshme që për një pozicion të vonohet arritja e marrëveshjes. LDK-ja ka nevojë të bisedojë edhe më tutje dhe të arsyetojë qëndrimin lidhur me zgjedhjen e presidentit.

Kujtojmë se në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbajtura më 6 tetor, fituese e këtyre zgjedhjeve doli Lëvizja Vetëvendosje (LVV) duke lënë pas Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.