Katër muaj pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, procesi mbetet i bllokuar, ndërsa deputetët vazhdojnë të mblidhen çdo 48 orë, pa prodhuar asnjë rezultat konkret.

Asnjëra nga palët nuk ka ndryshuar qëndrim. Lëvizja Vetëvendosje insiston në votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit dhe mbështetjen për kandidaturën e Albulena Haxhiut. Ndërkohë, partitë opozitare mbeten kundër këtij formati të votimit, duke mos e pranuar propozimin e pozitës si të pranueshëm.

Edhe në seancën e fundit, kryesuesi Avni Dehari përsëriti kërkesën për formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentarin. Megjithatë, propozimi nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme dhe seanca përfundoi pa ndonjë vendim, duke u shtyrë për të enjten.

Ngërçi institucional vazhdon të mbajë pezull funksionimin e Kuvendit dhe krijimin e organeve të tij, ndërsa palët politike nuk japin sinjale për kompromis të afërt.