Për një muaj 48 mijë kosovarë synuan Gjermaninë për punësim

03.05.2022

Një numër i konsiderueshëm i të rinjëve të vendit tonë pothuajse çdo muaj zgjedhin që të largohen drejt shtetëve të Evropës. Të rinjtë po largohen në shumë shtete të botës, por në të shumtën e rasteve në Evropë, më së shumti në shtetin e Gjermanisë. Nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë për lajmi.net kanë theksuar […]

Për një muaj 48 mijë kosovarë synuan Gjermaninë për punësim Foto: Ilustrim

Një numër i konsiderueshëm i të rinjëve të vendit tonë pothuajse çdo muaj zgjedhin që të largohen drejt shtetëve të Evropës.

Të rinjtë po largohen në shumë shtete të botës, por në të shumtën e rasteve në Evropë, më së shumti në shtetin e Gjermanisë.

Nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë për lajmi.net kanë theksuar se shpesh herë kërkesat për aplikim të një termini vize kanë tejkaluar të gjitha pritshmëritë.

Vetëm në mars të vitit 2022, Ambasada e Gjermanisë thuhet të ketë pranuar 48 mijë e 44 kërkesa për terminet të cilat janë në dispozicion për aplikim për vizë pune.

“Për shkak të kërkesës tejet të madhe për termine për viza me qëllim fillimin e punësimit sipas Rregullores së Ballkanit Perëndimor, e cila i tejkalon dukshëm terminet që janë në dispozicion dhe për të siguruar mundësi të barabarta gjatë aplikimit për një termin, që nga dhjetori i vitit 2021 këto termine në shtetet e Ballkanit Perëndimor jepen çdo muaj nëpërmjet një procedure të shortit. Për procedurën e shortit në mars 2022 ambasada i ka pranuar 48.044 kërkesa për terminet që janë në dispozicion për aplikim për vizë.”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Tutje është theksuar se nga të gjitha regjistrimet, nga gjeneratori i rastësishëm i drejtuar në mënyrë kompjuterike në një procedurë të shortit janë përzgjedhur ata, të cilët e marrin një termin për aplikim në muajin e ardhshëm.

“Ambasada ofron rreth 500 deri në 800 termine çdo muaj për këtë kategori, derisa të arrihet numri maksimal i vizave prej 5.500 në vit. Mund të llogaritet, se ata, të cilët nuk kanë sukses për të rezervuar një termin, provojnë sërish në muajt pasues.”.

Nga ambasada gjermane u tha se për shkak të pandemisë COVID-19, që nga fillimviti 2020, deri më 4 korrik 2021 kanë qenë në fuqi kufizimet e udhëtimeve hyrëse drejt Gjermanisë. Prandaj gjatë vitit 2020 dhe 2021, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë lëshoi vetëm viza të kategorive të caktuara, të cilët kanë qenë të përjashtuara nga këto kufizime.

Në kuadër të këtyre përjashtimeve kanë hyrë vizat për bashkim familjar, për studime dhe kategori të caktuara të vizave të punës për punonjës, me kualifikime të larta.

“Para pandemisë, në vitin 2019 Ambasada Gjermane në Prishtinë ka lëshuar më shumë se 50.000 viza. Prej tyre rreth 36.000 viza kanë qenë për qëndrime afatshkurtra (viza Schengen), si dhe rreth 15.000 viza nacionale për qëndrime afatgjata (d.m.th. për bashkim familjar, viza pune, viza studimi, etj.).”, u shtua tutje në përgjigjen e ambasadës gjermane.

Për shkak të kufizimeve të udhëtimit të shkaktuara nga pandemia e COVID-19, në vitin 2020, Ambasada e Gjermanisë ka lëshuar vetëm rreth 18 mijë viza, për të gjitha kategoritë.

“Këtu përfshihen 8.000 viza afatshkurtra (Visa Schengen) dhe rreth 10.000 viza për qëndrime afatgjata. Shumica e vizave të lëshuara në vitin 2020 kanë qenë viza për qëllime të bashkimit familjar, meqë kjo kategori ka qenë e përjashtuar nga kufizimet e udhëtimit për shkak të COVID-it.”, u theksua nga Ambasada e Gjermanisë.

E një vit më vonë, saktësisht përgjatë 2021-ës, Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë lëshoi rreth 34.000 viza.

Në këto viza janë përfshirë 17 mijë viza afatshkurtra, si dhe rreth 17 mijë viza për qëndrime afatgjate ( për qëllime të bashkimit familjar, viza të punësimit, studimit dhe të tjera.

“Në vitin 2021 Ambasada Gjermane Prishtinë ishte një nga ambasadat gjermane që ka lëshuar më së shumti viza në mbarë botën.”