Për 6 muaj ikën 108 mjekë, zgjidhje shihet Ligji i pagave

09.07.2022

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu duke e konsideruar si shqetësim të madh largimin e mjekëve nga ShSKUK thotë se Kosova ka dështuar në përpilimin e një strategjie të mirëfilltë për resurse njerëzore. Sejdiu thotë se krahas mjekëve tashmë nga Kosova po ikin edhe specializantët për shkak të kushteve jo të mira […]

Për 6 muaj ikën 108 mjekë, zgjidhje shihet Ligji i pagave Foto: Ilustrim

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu duke e konsideruar si shqetësim të madh largimin e mjekëve nga ShSKUK thotë se Kosova ka dështuar në përpilimin e një strategjie të mirëfilltë për resurse njerëzore.

Sejdiu thotë se krahas mjekëve tashmë nga Kosova po ikin edhe specializantët për shkak të kushteve jo të mira për shkollim specialistik.

 “Tash po e tejkalon numrin që ne e kemi prognozuar për këtë vit ka qenë për këtë vit 200 deri 210 deri në fund të vitit, tash vetëm në 6 mujorin e parë i kemi 108 të cilët vetëm se i kanë bërë gati dokumentet, certifikatën për pastërti etiko-profesionale, që iu duhet kur të largohen… Presim që deri në fund të vitit me siguri mbi 220 mjekë të rinj kryesisht sepse në kuadër të tyre janë diku 7-8 specialistë, janë mbi 36 specializantë dhe të tjerë janë mjekë që po diplomohen dhe kjo është një alarm dhe nuk ka një prognozë të mirë… Tri arsyet kryesore vazhdojnë të mbesin të njëjta sikur nga viti i kaluar, kryeson kushtet e punës, kualiteti dhe kushtet e shkollimit specialistik dhe e treta është pagesa… E vetmja zgjidhje është investim serioz në shëndetësi, nuk flas vetëm për aparatura, por investim si në resurse njerëzore, si në profilizimin definitiv të spitaleve që fatkeqësisht nuk është duke e marr askush seriozisht… Në Kosovë është duke dështuar komplet përpilimi i një strategjie të mirëfilltë si për resurse njerëzore dhe në përgjithësi për shëndetësi dhe nuk ka politika të mirëfillta shëndetësore”, theksoi Sejdiu.

Ikjen e mjekëve nga Kosova ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi e konsideron si problem rrënjësor për shëndetësinë kosovare.

Por, ndonëse shprehet se po punon në krijimin e kushteve më të mira për profesionistët shëndetësorë, Latifi thekson se asnjëherë nuk do të mund ta ndalojë këtë dukuri të ikjes së trurit në 100%.

 “Vendimi i një mjeku apo një infermiereje të qëndroj në Kosovë ose të shkoj jashtë është shumë kompleks, t’i ndërroj të gjitha elementet, t’i ndërtoj të gjitha qendrat e ekselencës dhe të gjitha programet që strategjia dhe qeveria jonë i ka përpara, ne nuk do të mundemi me ndal 100% largimin e mjekëve prej një vendi në tjetrin. Unë jam shumë i interesuar ta ndaloj atë krejt, por kjo nuk ka për të ngjarë kurrë.

Jam i interesuar që mirëqenia e mjekëve tanë, infermierëve, laborantëve tanë, shkencëtarëve tanë me qenë në nivelin më të duhur të mundshëm, por jam shumë i interesuar që këta që i kemi ekspertë jashtë venditt’i kthejmë këtu… (largimi i mjekëve) ky është problem rrënjësor i shëndetësisë së Kosovës”, theksoi Latifi.

Zgjidhja më mirë për të parandaluar ikjen e mjekëve nga Kosova, sipas drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, është miratimi i Ligjit të pagave.

 “Ajo që nevojitet më së shumti është Ligji i pagave ku punëtorëve shëndetësorë do t’ju sigurohet dhe garantohet një pagë e dinjtetshme në raport me shkollimin që kanë kryer dhe punën që bëjnë në kujdesin shëndetësor ndaj pacientëve që do të jetë mënyra më e mirë dhe sinjali më i mirë që punëtorëve shëndetësor t’u bëhet me dije se janë të nevojshëm dhe duhet të qëndrojnë në vendin e tyre për të ofruar shërbime shëndetësore.

Është e drejtë e secilit individë, edhe e mjekëve, edhe infermierëve, për të synuar më të mirën e mundshme për profesionet e tyre dhe familjet e tyre. Por, ajo që neve na nevojitet më së shumti në këtë fazë është miratimi i Ligjit të pagave ku punëtorët shëndetësorë do ta gjenin vendin e tyre të merituar”, u shpreh ai.

Të shqetësuar për largimin e profesionistëve shëndetësorë nga sektori publik shprehen edhe nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve.

Besim Kodra, nga kjo shoqatë, thekson për KosovaPress se si pasojë e ikjes së mjekëve po rriten listat e pritjes dhe po bie kualiteti i shërbimeve shëndetësore. Ai kërkon nga shteti që të përmirësojë kushtet e punëtorëve shëndetësorë.

“Kjo padyshim që shkakton vështirësi për shkak se do të rrisë listat e pritjes në anën tjetër qytetarët të cilët kanë nevoja shëndetësore nuk mund t’i realizojnë ato si rezultat i mungesës së stafit që duhet t’i realizojë ato nevoja, edhe kjo padyshim që ndikon edhe në shëndetin e përgjithshëm të qytetarëve pse jo edhe në jetëgjatësi.

Për këtë duhet të mendojë shteti dhe të punojë për të rritur kualitetin e shërbimeve shëndetësore dhe kushtet e punës për ata punëtorë shëndetësorë në mënyrë që ata të punojnë këtu për misionin që janë shkolluar dhe kanë nevojë pacientët”, theksoi Kodra./KP/