Peci: 2023-ta vit i rekordeve për bujqësinë
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci në një konferencë për media ka shpalosur të arriturat dhe sukseset e kësaj ministrie gjatë vitit që po e lëmë pas. Ai e ka vlerësuar se 2023-ta ka qenë vit i rekordeve për bujqësinë sa i përket të mbjelljeve, numrit të përfituesve të fermerëve dhe numrit apo vlerës së përkrahjes […]
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci në një konferencë për media ka shpalosur të arriturat dhe sukseset e kësaj ministrie gjatë vitit që po e lëmë pas.
Ai e ka vlerësuar se 2023-ta ka qenë vit i rekordeve për bujqësinë sa i përket të mbjelljeve, numrit të përfituesve të fermerëve dhe numrit apo vlerës së përkrahjes financiare.
“Nëse vitit 2023 do t’i vendosnim një shifër për bujqësinë ajo është vlera prej 85 milionë euro, prej të cilës është shpërblyer mundi i fermerëve në dy kategoritë e programeve kryesore, atë të subvencioneve dhe granteve”, ka thënë ministri Peci.
Ai ka thënë se në kuadër të këtyre programeve janë miratuar 491 projekte të granteve në vlerë prej 24.2 milionë euro, derisa numri i përfituesve të fermerëve në programin e pagesave direkte dhe subvencioneve në vlerë mbi 61 milionë euro ka qenë mbi 31 mijë.
“Ky është numër rekord i fermerëve prej ekzistencës së Ministrisë së Bujqësisë. Viti që po e lëmë pas ka qenë viti më i suksesshëm në sektorin e bujqësisë, pavarësisht sfidave në aspektin klimatik”, ka shtuar Peci.
I pyetur rreth pronës ku janë vendosur vilat luksoze të kriminelit Milan Radojiçiq në veri të vendit, ministri Peci ka konfirmuar se ajo pronë do t’i bartet Ministrisë së Punëve të Brendshme. “Kemi një dakordim me ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ne si institucion e kemi dhënë dakordimin dhe tani vazhdojnë procedurat administrative, por ajo pronë do t’i bartet kësaj ministrie për nevojat e funksionimit të saj, stafit të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Kosovës, e që do të jetë në shërbim të sigurisë nacionale të Kosovës”, ka thënë Peci.