PDK: Qeveria Hoti brenda 100 dite futi Kosovën në listën e zezë për pandemi, firmosi bashkëpronësinë e Ujmanit me Serbinë

12.09.2020

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të dështuar në qeverisjen e brendshme dhe në politikën e jashtme, 100 ditëshin e udhëhequr nga Avdullah Hoti. “Kjo periudhë e qeverisjes u karakterizua me dështim në menaxhimin e pandemisë, ku Kosova shënoi ndër rastet më larta në botë sa i përket numrit të të infektuarve dhe të vdekurve […]

PDK: Qeveria Hoti brenda 100 dite futi Kosovën në listën e zezë për pandemi, firmosi bashkëpronësinë e Ujmanit me Serbinë Foto: Ilustrim

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të dështuar në qeverisjen e brendshme dhe në politikën e jashtme, 100 ditëshin e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

“Kjo periudhë e qeverisjes u karakterizua me dështim në menaxhimin e pandemisë, ku Kosova shënoi ndër rastet më larta në botë sa i përket numrit të të infektuarve dhe të vdekurve për kokë banori. Kosova u fut në listën e zezë të udhëtimeve të qytetarëve tonë nga shumica e vendeve të rajonit dhe ato evropiane” thuhet në reagimin e PDK-së.

PDK thotë se premtimet për ndarjen e fondit mbi 1 miliard euro për tejkalimin e krizës kanë mbetur në letër nga Qeveria Hoti, e cila nuk ka as vizon dhe as vullnet për t’u marrë me këtë problematikë.

Në 100 ditë, Qeveria Hoti dështoi në përgatitjet për rifillimin me kohë të mësimit më 1 shtator duke krijuar konfuzitet të madh në mesin e shumë prindërve e mësimdhënësve. Me këtë qasje, kjo qeveri po rrezikon të ardhmen e mijëra fëmijve të Kosovës, të cilët ka mbi pesë muaj që janë shkëputur nga mësimi i rregulltë. Edhe rifillimi i mësimit i paralajmëruar më 14 shtator ka rrezik të dështoj sepse mungojnë përgatitjet e instruksionet si të veprohet në kushtet e pandemisë.

Për shkak të përplasjeve e kërcënimeve të vazhdueshme brenda partnerëve të koalicionit, partia e Kadri Veselit thotë se kjo qeveri e ka besimin shumë të ulët dhe se qytetarët po zhgënjehen çdo ditë.

Dështimi në qeverisjen e brendshme u karakterizua me dështimin në politikën e jashtme javën që shkoi, ku delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga Kryeministri Hoti, humbi shansin historik për arritjen e një marrëveshje me njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington.

Nga përplasjet e brendshme fisnore të anëtarëve të delegacionit, u pranua të ndahet pronësia për Liqenin e Ujmanit me Serbinë; u lejua të negociohet për pasuritë kombëtare të Kosovës dhe u rrezikuan interesat strategjike të vendit.

PDK thotë se Qeveria Hoti dështoi të përmbushë pritjet e qytetarëve për arritjen e një marrëveshje historike finale duke rrëshqitur gradualisht drejt temave teknike me Serbinë.

Gjithashtu në reagimin e PDK-së për Qeverinë Hoti thuhet se ajo është e dobët, aspak transparente dhe pa kurrfarë mbështetje legjitime qytetare për të qeverisur me Kosovën.