Legjislatura VII PDK propozon nënkryetarin e Kuvendit dhe emëron shefin e Grupit Parlamentar

Sot me fillim prej orës 15:00 do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të bëhet formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, dhënia e betimit të deputetëve dhe zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.

Por, partia fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe partia e dytë, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur që të nënshkruajnë një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Ndërsa sot para fillimit të kësaj seance kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli ka takuar deputetët e rinj.

Gjatë këtij takimi është diskutuar për mbarëvajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku PDK renditet si partia e tretë më e votuara në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 6 tetor.

Po ashtu në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PDK-së, kjo parti e ka emëruar Bedri Hamzën shef të GP-së si dhe deputetin Memli Krasniqi do ta propozojnë për pozitën e Nënkryetarit të Kuvendit.

Kujtojmë se në zgjedhjet e parakohshme për Kuvednin e Republikës së Kosovës, fituese doli Lëvizja Vetëvendosje (LVV) duke lënë pas Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.