PDK për LDK-në, u hakmorrën me Qalajn shkaku i Haki Rugovës

16.10.2020

Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media e ka quajtur hakmarrës shkarkimin e Drejtorit të Policisë Rashit Qalaj. Sipas PDK-së ky vendim cënon rëndë një ndër institucionet më të rëndësishëm të pavarura të shtetit. ”Partia Demokratike e Kosovës, nëpërmjet kësaj komunikate për media shpreh indinjatën për shkarkimin arbitrar të Drejtorit të Përgjithshëm të […]

PDK për LDK-në, u hakmorrën me Qalajn shkaku i Haki Rugovës Foto: Ilustrim

Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media e ka quajtur hakmarrës shkarkimin e Drejtorit të Policisë Rashit Qalaj.

Sipas PDK-së ky vendim cënon rëndë një ndër institucionet më të rëndësishëm të pavarura të shtetit.

”Partia Demokratike e Kosovës, nëpërmjet kësaj komunikate për media shpreh indinjatën për shkarkimin arbitrar të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës Rashit Qalaj. Ky vendim cënon rëndë një ndër institucionet më të rëndësishëm të pavarura të shtetit. Policia e Kosovës ka dëshmuar sukses në përmbushjen e detyrave dhe ky shkarkim përbën një tentativë për kapje të shtetit. Një veprim i tillë është gjithashtu inkurajim ndaj krimit të organizuar i cili është goditur me përkushtim dhe efikasitet prej drejtorit Qalaj, duke arritur rezultate shumë të larta në përpjekjet për të vendosur rend dhe ligj në vend” thuhet në reagim.

Partia opozitare ka deklaruar se shkarkimi i Qalajt lidhet me arrestimin e nënkryetarit të LDK’së Haki Rugova.

”Fakti që ky shkarkim po bëhet kur ende nuk është mbushur një javë nga arrestimi i nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova, lë të kuptohet se është një akt hakmarrës ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit. Momenti dhe metoda e shkarkimit dëshmon se ky veprim është mesazh i qartë kërcënues për policët, hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit – të cilët guxojnë të merren me veprat penale të LDK-së”thuhet në komunikatë.

PDK-ja i ka bërë thirrje qeverisë që Qalajn ta kthejnë në pozitën e Drejtorit të Policisë.

“Prandaj Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje zyrtarëve të lartë të partisë në pushtet,   Lidhjes Demokratike Kosovës, që të distancohet nga kësilloj veprimesh abuzive që duket se janë spastrime politike dhe përbëjnë një precedent të rrezikshëm për mirëfunksionimin e institucioneve të rëndësisë së veçantë sikurse është policia. Po ashtu  nëpërmjet kësaj komunikate, PDK-ja bën thirrje që drejtori Qalaj të kthehet në krye të institucionit sa më shpejt dhe që policia të lihet e qetë pa ndërhyrje politike në ushtrimin e detyrës së saj fisnike”, thuhet në reagimin e PDK-së