PDK paraqet 10 qëndrime para Kurtit e Osmanit, Hoxhaj: Do të marrim vendim në kryesi për formimin e institucioneve

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj pas takimit me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin ka thënë se ishte një takim i mirë dhe konstruktiv.

Hoxhaj u shpreh se si temë kryesore ka qenë koordinimi dhe bashkëpunimi për temat e politikës së jashtme.

“Kemi kërkuar qartësi për qasjen e tyre në raport me politikën e ardhshme, meqë presidenti i ardhshëm ka rol në përfaqësimin tonë, dhe qeveria luan rol të rëndësishëm në krijimin e politikës së jashtme. Para se ta marrim vendimin në organet e PDK-së, varet prej 10 qëndrimeve që kemi ngrit në takim”, ka thënë Hoxhaj

Në mesin e këtyre qëndrimeve që kanë paraqitur PDK, Hoxhaj ka thënë se janë dialogu Kosovë-Serbi, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, çështja e minishengenit etj.

Ai ka shtuar se ky ishte një takim pas kërkesës së PDK-së, që formimi i institucioneve mund të ndodh vetëm me një dialog në mes pozitës e opozitës.

“Qasja ka qenë konstruktive dhe parimore, kemi pas kërkesa dhe çështje të qarta që i kemi nfgrit në këtë takim Ne mendojmë se në procesin e krijimit të institucioneve veçanërisht zgjedhja e presidentit, para se të flitet për personin duhet të flitet për parime, dhe këto parime do ta caktojnë presidentin e ardhshëm…”, u shpreh ai.

Hoxhaj ndër tjerash ka thënë se Kosova ka nevojë për stabilitet dhe qartësi politike.

Hoxhaj gjithashtu ka folur edhe për postin e presidentit, ku ka thënë se Partia Demokratike nuk është departament i resurseve njerëzore, as organ i avancimit në karrierë.

“Ne jemi opozitë, nuk jam departament i resurseve njerëzore që ndihmon të zgjidhet ky apo ai president i vendit, as nuk jemi organ i avancimit të njerëzve me karrierë,. Takimi është ndërtuar në parime të tilla dhe këtë qartësi që kam para jush e kam pasur edhe në takim”, ka thënë ai.

RAPORTO