PDK dorëzon në Gjykatën Kushtetuese vendimet e Qeverisë për kufizimin e lëvizjes

Sot, Grupi Parlamentar i Partise Demokratike të Kosovës, i mbështetur edhe nga deputetë të grupeve tjera parlamentare, dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kërkesën për vlerësim të çështjes së kushtetueshmërisë të vendimeve të Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, vendime me të cilat PDK vlerëson se është shkelur Kushtetuta e Kosovës.

“Ne e kemi pasur një aktvendim të qartë të Gjykatës Kushtetuese që ka treguar se vendimet e tilla të kufizimit të lirive nuk mund të merren nga Qeveria, por Kryeministri Kurti ka vendosur me vetëdije që ta vazhdojë shkeljen e Kushtetutës, tani nëpërmjet Ministrit te tij, z. Arben Vitia”, tha deputetja e PDK, Besa Ismaili.

“Bëhet fjalë për vendimet që shkelin të drejtën e lirisë së lëvizjes nga Neni 35 i Kushtetutës së Kosovës, si e drejtë e garantuar për qytetarët e Kosovës, si dhe Neni 55 i Kushtetutes, i cili shprehimisht përcakton se kufizimet e disa të drejtave të lirive të njeriut mund të bëhen vetëm me ligj”, tha ajo.

Duke folur në emër të PDK, deputetja Ismaili ftoi qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe të bëjnë kujdes në përballje me pandeminë me coronavirus.

“Lufta jonë ndaj pandemisë së COVID-19 është e përbashket, ashtu siç duhet të jetë e përbashkët lufta jonë për ruajtjen e parimeve demokratike të shtetit tonë dhe respektimin e Kushtetutës”, tha deputetja Ismaili.

RAPORTO