Pavarësisht hyrjes në fuqi Ligji i Pagave nuk zbatohet deri pas 8 muajsh

Ligji për paga i miratuar më 2 shkurt në Kuvendin e Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi nga dita e enjte, do të nisë së zbatuari vetëm pas nëntë muajve të ardhshëm, pra në tetor.

Kjo vonesë e fillimit të implementimit po konsiderohet e pa arsyeshme, edhe pse sekretari i Kuvendit të Kosovës thotë se arsyet e mos zbatimit të menjëhershëm janë ligjore.

“Ligji i pagave hynë në fuqi 9 muaj pas ditës së publikimit në Gazetën Zyrtare. Arsyet janë ligjore”, thotë Krasniqi për KosovaPress.

Ndërsa, kryetari i Komisionit për Administratë Publike Nait Hasani thotë për KosovaPress se për shkak të akteve nënligjore, Ligji për paga nuk mund të hyjë në fuqi deri në tetor, ndërsa ka mohuar që mund të jetë arsye tjetër qoftë edhe për shkak të mjeteve buxhetore, transmeton TV Prizreni.

“Janë mbi 80 mijë zyrtarë që përfshihen në këtë ligj, dhe për shkak të akteve nënligjore ky ligj nuk mund të hyn në fuqi deri në tetor. Ka disa ligje të tjera të cilat fillojnë të implementohen pas dy muajt, pas tre muajsh, ndërsa Ligji për pagat ka rëndësinë e saj dhe mund të hyj në fuqi vetëm pas nëntë muajsh”, deklaron Hasani.

Ndërsa, nënkryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Shqipe Pantina nga radhët e PSD-së thekson për KosovaPress se një ndër arsyet përse Ligji për paga nuk do të implementohet deri në tetor, është mungesa e mjeteve financiare, pasi nuk është paraparë me buxhetin e vitit 2019.

“Janë dy arsye pse Ligji nuk mund të hyjë në fuqi menjëherë. E para, sepse numri i rregulloreve të cilat duhet hartuar është goxha i madh dhe procedurat për hartimin e tyre po ashtu duhet të ndiqen, e ato janë më së paku janë gjashtë muaj. Dhe e dyta, është se ka të bëjmë me çështje buxhetore, sepse hyrja në fuqi e menjëhershme e Ligjit, gjegjësisht për disa rritjet e parapara nuk janë të përfshira në buxhetin e vitit 2019 dhe kjo do të mund të shkaktonte ndonjë krizë financiare. Prandaj, është paraparë që Ligji të hyjë në fuqi mbas nëntë muajve, ndonëse ne si PSD kemi votuar që ligji të hyjë në fuqi pas gjashtë muajve pas miratimit”, thekson Pantina.

Ndërsa, zyrtarë të Ministrisë së Financave dhe të Ministrisë së Administratës Publike nuk janë përgjigjur lidhur me zbatimin e Ligjit të Pagave.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini thotë për KosovaPress se përgjegjëse dhe implementues të Ligjit të ri për Paga është Ministria e Administratës Publike, ndërsa, kjo e fundit ka thënë se Ligji është në Kuvend dhe nuk ndihen përgjegjëse për këtë Ligj.

Ndërsa, profesori universitar Muhamet Sadiku mendon se periudha nëntë mujore e mos zbatimit të ligjit për paga është e panevojshme, dhe sipas tij, kjo kohëzgjatje mund të shkakton probleme për ndryshime eventuale të ligjit.

“Fillimi i implementimit të tij(ligjit) nga muaj tetor duket se është një hapësirë e pa nevojshme. Ligji do të duhej të fillonte të implementohet më parë, sepse kjo hapësirë disi krijon edhe iluzionet e reja për ndryshime eventuale të ligjit ekzistues, ngaqë mund të paraqiten kërkesa të reja për korrigjime dhe disi ofrohet një mundësi që të humbet mjaft energji edhe në këtë periudhë para impementimit të këtij ligji”, thekson Sadiku.

Ndryshe, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, nuk e ka dekretuar Projektligjin për Pagat, ndërsa pas përfundimit të afatit ligjor ka hyrë në fuqi në mënyrë të heshtur. Ligji për pagat ka një kosto rreth 120 milionë euro.

RAPORTO