Pasi eskalon situata ndërmjet Vetëvendosjes e Nismës, kryetarja e KQZ-së mesazh partive politike

15.11.2019

Gjykata Supreme ka vendosur që votat e ardhura nga Serbia të mos përfshihen në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit, e për këtë vendim ka pasur përplasje mes zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate. Zyrtari i Vetëvendosjes ka lëshuar akuza në drejtim të zyrtarëve të Nismës në QNR për ngacmime seksuale. Por i […]

Pasi eskalon situata ndërmjet Vetëvendosjes e Nismës, kryetarja e KQZ-së mesazh partive politike Foto: Ilustrim

Gjykata Supreme ka vendosur që votat e ardhura nga Serbia të mos përfshihen në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 6 tetorit, e për këtë vendim ka pasur përplasje mes zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate.

Zyrtari i Vetëvendosjes ka lëshuar akuza në drejtim të zyrtarëve të Nismës në QNR për ngacmime seksuale.

Por i menjëhershëm ka qenë përgjigja e Nismës, ku zyrtari i Nismës, Erzen Musliu kishte thënë se “Kur burri i Albulena Haxhiut flet për moralin, i paska harruar orgjitë në Vetëvendosje”, raporton GazetaExpress.

Në anën tjetër, anëtari i VV-së, Alban Krasniqi, i është kundërpërgjigjur akuzave të Nismës, duke thënë se kjo parti ka sjellë llumin e saj në QNR dhe po i ngacmojnë seksualisht vëzhgueset.

Krasniqi përmes Facebook-ut ka thënë se KQZ-ja duhet të reagojë pasi Qendra e Numërimit dhe Rezultateve nuk është Han i Fatmir Limajt.

“Kanë sjellë në QNR llumin e tyre gjoja si vëzhgues me qëllim krijimin e tensioneve e pse jo edhe dëmtimin e kutive. Në vazhdimësi bëjnë presion mbi stafin, krijojnë insinuata, ngacmojnë seksualisht vëzhguese, kërkojnë pavlefshmëri votash. KQZ-ja duhet t’ua tregojë vendin këtyre matrapazëve sepse aty është QNR dhe jo Han i Fatmir Limajt”, ka shkruar Krasniqi.

Pas kësaj situate mes zyrtarëve të Nismës e VV-së, ka folur kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, e cila u ka bërë thirrje partive politike që të mos dëmtojnë procesin e rinumërimit.

Daka u ka bërë thirrje palëve që janë të përfshira në procesin e rinumërimit që ta ruajnë qetësinë dhe t’i përmbahen rregullave të QNR-së.

“Në këtë fazë, e shoh të nevojshme që të jap këtë mesazh për të gjitha palët që janë pjesë e procesit si dhe duke ftuar përfaqësuesit e subjekteve politike dhe vëzhguesit e tyre të tregojnë kujdesin maksimal për integritetin e procesit që po zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve; t’u përmbahen rregullave dhe procedurave të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve dhe të ruajnë qetësinë e t’i shërbejnë procesit demokratik”, thuhet në mesazhin e kryetares së KQZ-së.

Daka ka thënë se çdo palë që ka vërejtje mund të bëjë ankesë në PZAP.

“Çdo palë e cila ka vërejtje për administrimin e numërimit në QNR mund të bëjë ankesë në PZAP, pasi Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është i qartë në këtë drejtim: “Ankesat lidhur me administrimin e numërimit në QNR dorëzohen me shkrim pranë PZAP-it brenda 24 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, thuhet në mesazhin e Dakës.