Çlirim Gashi
29.03.2019, 22:19

Pas Suharekës edhe një komunë merr vendim për mbulimin e shpenzimeve të varrimit

Pas Komunës së Suharekës që mori vendim për mbulimin e shpenzimeve për ritet fetare dhe ceremoninë e varrimit për çdo qytetar të vdekur, tani edhe Komuna e Klinës e mori vendimin e njejtë, ku do të mbulojë shpenzimet financiare të varrimit për secilën familje që do të ketë rast vdekje.

Sot, Kuvendi i Komunës së Klinës, ka miratuar propozimin për mbulimin e shpenzimeve të varrimit për qytetarët e Komunës së Klinës.

Komuna njofton të gjithë qytetarët e Komunës së Klinës, të cilët kanë raste vdekje, se shpenzimet financiare, në vlerë 170 euro, do të mbulohen nga buxheti i komunës.

Këtë të drejtë mund ta realizojnë familjarët e të vdekurit, brenda afatit prej 30 ditë nga data e vdekjes, pas kërkesës të cilën duhet ta dorëzojnë në Komunë.

Po ashtu, i pari i kësaj komune Zenun Elezaj ka njoftuar se pas planifikimit buxhetor nga Komuna e Klinës, kjo barrë do t’i hiqet në tërësi banorëve.

“Përveç dhembjes dhe pikëllimit për humbjen e të afërmit të tij, nuk do të ketë më mbi vete edhe barrën e sigurimit të shpenzimeve financiare të varrimit”, ka thënë Elezaj.

Njoftimi i plotë nga kryetari i Klinës: “Të dashur bashkëvendës të Klinës, duke pas parasysh kërkesat,nevojat dhe mundësitë financiare të qytetarëve, pas planifikimit buxhetor nga Komuna, nga dita e sotme, secila familje që do të ketë rast vdekjeje, përveç dhembjes dhe pikëllimit për humbjen e të afërmit të tij, nuk do të ketë më mbi vete edhe barrën e sigurimit të shpenzimeve financiare të varrimit, të cilat tash e tutje do të mbulohen nga Komuna” ka shkruar Elezaj në Facebook.

Kujtojmë se në Komunën e Suharekës, shuma që do të ndihmohen familjet për mbulimin e këtyre shpenzimeve është 200 euro dhe ka filluar të zbatohet që nga 1 Marsi 2019.