Pas SHBA-së edhe BE-ja shpreh keqardhje për thirrjet për bojkotimin e votimit dhe regjistrimit në veri

09.04.2024

Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje pas thirrjeve të fundit të Listës Serbe për bojkotimin e zhvillimit të votimeve për shkarkimin e kryetarëve të zgjedhur shqiptarë në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Pas SHBA-së edhe BE-ja shpreh keqardhje për thirrjet për bojkotimin e votimit dhe regjistrimit në veri Foto: Ilustrim

Ky veprim nga Lista Serbe vjen si reagim ndaj përpjekjeve të fundit për të forcuar përfaqësimin dhe qeverisjen lokale në veri të Kosovës.

Në një deklaratë të dërguar mediave, BE-ja shprehu gjithashtu keqardhje për thirrjen e serbëve për t’u larguar nga procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë.

“Ne marrim në dijeni shqetësimet e shprehura nga serbët e Kosovës lidhur me procesin për zgjedhjet e reja. Përkundër kësaj, ne i bëjmë thirrje Listës Serbe të rishqyrtojë vendimin për të mos marrë pjesë, pasi demokracia nënkupton pjesëmarrje dhe realizimin e të drejtës për serbët e Kosovës që të shprehin qëndrimet e tyre në kutitë e votimeve”, është cituar BE-ja.

BE-ja theksoi se zhvillimi i zgjedhjeve lokale në këto komuna është i rëndësishëm për sigurimin e qeverisjes përfaqësuese dhe uljen e tensioneve.

“Zhvillimi i zgjedhjeve të reja për kryetarë komunash duhet të sigurojë qeverisje të plotë përfaqësuese në veri dhe të ndihmojë edhe në uljen e tensioneve. Votimi për shkarkim është hap në këtë drejtim”, shtoi BE-ja.

Pas shpalljes së bojkotit nga Lista Serbe për votimin e 21 prillit, ka rezultuar në një situatë të tensionuar, ku rezultati i suksesshëm i këtij votimi kërkon pjesëmarrjen e më shumë se gjysmës së qytetarëve me të drejtë vote.

Nëse ky kusht përmbushet, rezultati i votimit do t’i dërgohet Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur zgjedhjet e reja të parakohshme.

Përveç kësaj, BE-ja shprehu shqetësimin për thirrjen e Listës Serbe që serbët të mos marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë, i cili është i rëndësishëm për të dhënat demografike të sakta që ndikojnë në shpërndarjen e drejtë të burimeve dhe marrjen e vendimeve të informuara politike.

“Sigurimi i të dhënave më të reja për popullsinë ka rëndësi të veçantë pasi nuk është vetëm për të siguruar shpërndarjen e drejtë të mjeteve për komunat, por edhe për të ndihmuar në marrjen e informuar të vendimeve politike, planifikimet për shërbimet publike dhe adresimin e nevojave të ndryshme të grupeve të ndryshme demografike brenda popullatës”, shtoi BE-ja.

Ndërkohë, BE-ja inkurajoi qytetarët të marrin pjesë aktivisht në regjistrim dhe u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të intensifikojnë fushatat informuese për të gjithë banorët për të siguruar pjesëmarrje të gjerë në këtë proces kritik.

Sipas legjislacionit të Kosovës, atyre që refuzojnë të japin informacionet e kërkuara nga regjistruesit u kërcënohet me gjoba nga 30 deri në 2.000 euro, ndërsa bizneset mund të përballojnë gjoba edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro.

Ambasada amerikane: Shprehim keqardhje për deklaratat e Listës Serbe për votimin më 21 prill, do ta përcjellim nga afër këtë proces

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ka shprehur keqardhjen lidhur me deklaratat e Listës Serbe që nuk do të marrin pjesë në votimin për shkarkimin e katër kryetarëve në komunat në veri të vendit.

Në një përgjigje për Telegrafin nga ambasada amerikane kanë thënë se pjesëmarrja demokratike në votim, ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullit të cilit i shërbejnë.

Ambasada tutje ka shtuar se votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike.

“Shprehim keqardhje për deklaratën e Listës Serbe se do të tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për shkarkimin e kryetarëve. Presim që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në veri të Kosovës gjatë gjithë këtij procesi. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do të vazhdojnë ta ndjekin këtë proces nga afër”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane.

​Qeveria i bën thirrje Listës Serbe të mos ushtrojë presion ndaj serbëve për votimin në veri

Qeveria e Kosovës i ka bërë thirrje Listës Serbe që, siç tha, të mos përhapë dezinformata dhe të mos u bëjë presion qytetarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës “që duan të jenë pjesë e procesit demokratik të 21 prillit”.

Sipas një Udhëzimi Administrativ të Qeverisë së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka caktuar për 21 prill votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Ekzekutivi kosovar i bëri thirrje qytetarëve në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, që të shfrytëzojnë mundësinë dhe të drejtën e tyre për të votuar për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë./Telegrafi/