💉 Pas mësimdhënësve edhe mjekët pezullojnë grevën

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ligjit për Paga ka ngjallur pakënaqësi tek shumë sindikata njëashtu edhe tek Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), ku edhe u mbajtën greva dy orëshe nga kjo sindikatë.

Por, sot pas një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Drejtues të FSShK-së u diskutua në lidhje me mbarëvajtjen e grevës së përgjithshme dhe veprimet sindikale pas saj.

Këshilli Qendror Grevist të FSShK-së raportoi se greva e përgjithshme e mbjatur me datën 13 dhjetor në të gjitha institucionet shëndetësore të nivelit parësore, dytësor si dhe tretësor ka kaluar me sukses.

Po ashtu në këtë mbledhje të jashtëzakonshme u vendos që të pezullohet edhe greva deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga ana e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin e Pagave.

Gjithashtu nga anëtarët e Këshillit Drejtues të FSShK-së morën vendim që të ndërmarrin të gjitha hapat ligjor në pajtim me legjislacionin poztitiv të vendin, po ashtu duke i konsultuar edhe instancat vendore dhe ndërkombëtare me qëllim të përshpejtimit të vendimit brenda afatit ligjor kushtetues të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin e Pagave.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese më 12 dhjetor të vitit aktual ka marrur vendim që Ligji për Paga të pezullohet menjëherë në tërësi, ndërsa pas këtij vendimi sindikata e shëndetësisë si dhe sindikata e arsimit kanë mbajtur grevë dy orëshe të premtën, por kjo grevë nuk u mbajt nga sindikata e policisë.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.