Pas konfirmimit të aktakuzës ndaj Veselit reagon Enver Hoxhaj: Ka vetëm një UÇK që ka bërë luftë të drejtë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK, Enver Hoxhaj ka reaguar pasi kreut të kësaj partie, Kadri Veselit iu konfirmua aktakuza e ngritur nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë.

Hoxhaj përmes një postimi në facebook ka thënë se ka vetëm një popull që ka luftuar për liri dhe pavarësi dhe ka vetëm një UÇK që ka bërë luftë të drejtë.

“Ushtar i vendit të vet, i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës! Ka vetëm një popull që ka luftuar për liri e pavarësi. Ka vetëm një UÇK që ka bërë luftë të drejtë” shkruan Hoxhaj.

Pas konfirmimit të aktakuzës, në një deklaratë për media, Kadri Veseli ka thënë se nuk do të bëj deklarata të tjera publike apo paraqitje zyrtare në Kosovë ndërkohë që procesi gjyqësor vazhdon.

“Të paktën për momentin, jam një qytetar privat. Deri në fund të këtij procesi, do të kërkoja që ky qëndrim i imi të respektohet nga të gjithë në Kosovë, veçanërisht nga ata të cilët janë të angazhuar në media apo në jetën publike dhe politike” shkruan Veseli.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.