Pas intervistës në Prokurori, Bislimi reagon përmes Facebookut
Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, u intervistua sot në cilësinë e dëshmitarit në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Intervistimi i tij lidhet me hetimet e prokurorisë rreth funksionalizimit të fabrikës për nënproduktet shtazore.
Pas më shumë se një ore në ambientet e Prokurorisë, Bislimi u largua nga objekti pa dhënë deklaratë për mediat, raporton IndeksOnline. Megjithatë, përmes një postimi në Facebook, Bislimi reagoi ashpër ndaj procesit.
Ai theksoi se pyetjet që iu parashtruan “nuk mund të cilësohen si pyetje drejtuar një dëshmitari”. Bislimi shtoi se të gjitha informacionet që ai prezantoi sot “mund të grumbulloheshin shumë lehtë pa pasur nevojë fare për intervistim”.
“Do të kishte mjaftuar një studim minimal për detyrat dhe përgjegjësitë e zëvendëskryeministrit brenda portfolios së integrimeve evropiane dhe një shfletim i shpejtë i raporteve për vendin ndër vite nga Komisioni Evropian,” u shpreh Bislimi.
Ai shprehu bindjen se qëllimi i kësaj interviste ishte kryesisht prodhimi i lajmit medial.