Pas dy javësh publikohet udhëzuesi për vlerësimin e nxënësve

Brenda pak ditësh do të përcaktohet mënyra se si do të bëhet vlerësimi i nxënësve të nivelit parauniversitar, të cilët po zhvillojnë mësim nga distanca për shkak të pandemisë Covid-19.

Ministria e Arsimit përmes një përgjigjeje me shkrim ka bërë të ditur se ministrja Hykmete Bajrami ka emëruar një grup profesional, i cili po merret me përpilimin e udhëzuesit. Ky dokument pritet t’u dërgohet drejtorive komunale për arsim dhe të gjithë mësimdhënësve, raporton Koha.

“Grupi profesional, i cili po merret me hartimin e udhëzuesit për vlerësim, do të marrë për bazë rrethanat në të cilat është zhvilluar dhe zbatuar mësimi në distancë brenda kontekstit të pandemisë COVID-19. Në këtë kuadër do të analizohen raportet e vijueshmërisë/përcjelljes së ligjëratave online, ndërveprimit në mes nxënësve dhe mësimdhënësve, portofolit të detyrave të shtëpisë dhe aktiviteteve të tjera të zhvilluara.

Po ashtu grupi profesional do të analizojë edhe praktikat dhe metodologjitë e vlerësimit që do të përdorin shtetet e tjera evropiane që po përballen me situatë të ngjashme si pasojë e pandemisë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për media të Ministrisë së Arsimit.

MASHTI ka theksuar se një rol me rëndësi për vlerësim do të ketë portofoli fizik dhe elektronik, ditari i të nxënit, bashkëbisedimi dhe forma të tjera që nxjerrin informata kthyese për mësimin dhe shmangien e mbingarkimit të nxënësit, por edhe të mësuesit e prindit.

Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, vlerësimi i nxënësve luan rol të rëndësishëm në krejt këtë proces të mësimit online, derisa thotë se MASHTI është dashur ta definojë më herët se si do ta bëjë këtë vlerësim.

Sipas kalendarit të vitit shkollor 2019/2020, procesi mësimor do të duhej të përfundonte në muajin qershor, përveç për maturantët, që është përcaktuar data 20 maj.

Në të gjitha nivelet mësimi është duke u zhvilluar online. Derisa për klasat 1-9 mësimi po transmetohet në Radiotelevizionin e Kosovës dhe në një uebfaqe të MASHT-it, shkollat e mesme dhe institucionet e arsimit të lartë janë duke e organizuar vetë procesin mësimor përmes disa platformave.

RAPORTO