Pas deklaratës së Trumpit, Kurti kërkon: SHBA-ja t’i bëjë presion Serbisë për zbatimin e marrëveshjes
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i mundur, por kërkon trysni ndaj Beogradit për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur në vitin 2023.
Kurti u përgjigj pyetjes nëse mund të ketë shpejt një marrëveshje me Serbinë, pas deklaratës së Trumpit, i cili të dielën në “Truth Social” shkroi se gjatë mandatit të tij të parë, Kosova dhe Serbia ishin “duke shkuar drejt një përplasje të ashpër” dhe gati shpërthimit të një lufte, por ai e kishte ndalur atë. Trump akuzoi pasardhësin e tij, ish-presidentin Joe Biden, se e “ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta”, duke shtuar se ai do ta “rregullojë, sërish”.
Kurti përsëriti qëndrimin se Kosova dhe Serbia tashmë kanë arritur një marrëveshje për normalizim, por tha se kjo po shkelet nga Beogradi. Ai përsëriti kërkesat kyçe të Kosovës për këtë proces:
“Për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona është e domosdoshme që ata pikë së pari t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë Millan Radoiçiqin, kriminelin i cili na e vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Më pas, të pranojnë ta nënshkruajnë Marrëveshjen bazike me Aneksin e zbatimit. Njëkohësisht, ta tërheqin edhe atë letrën nga dhjetori i vitit 2023, kur ish-kryeministrja [serbe, Ana] Bërnabiq ka thënë që nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”, tha Kurti.
Gjatë mandatit të parë të Trumpit, në vitin 2020, Kosova dhe Serbia arritën në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje për normalizim ekonomik. Megjithatë, kjo marrëveshje, e cila përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht.
Pas fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të vitit të kaluar, Kurti ishte pyetur lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit. Edhe atëbotë, ai kishte deklaruar se së pari duhej të zbatohet marrëveshja e arritur në vitin 2023 në Bruksel dhe aneksi për zbatimin e saj, për të cilin palët u dakorduan në Ohër.
“Besoj që normalizimi është i mundur, trysnia duhet të jetë mbi Beogradin dhe gjithmonë e mirëpresim rolin e SHBA-së, që është aleatja jonë kryesore, partnerja e pazëvendësueshme dhe mikja speciale në tri fusha kryesore. E para është mbrojtja, e dyta është diplomacia, dhe e treta është zhvillimi”, tha Kurti për gazetarët më 16 qershor.
Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve nuk është nënshkruar nga palët për shkak të refuzimit të Serbisë. Megjithatë, Bashkimi Evropian – që ndërmjetëson dialogun – insiston se marrëveshja është obligative për të dyja palët. Kjo marrëveshje prej 11 nenesh parashikon, ndër të tjera, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, mospengim nga Serbia të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëhershme të arritura gjatë dialogut.