“Partitë që kanë keqqeverisur deri më sot, s’mund ta ndalin Kurtin drejt Kryeministrit”

18.01.2020

Janë bërë më shumë se 3 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, por ende institucionet e vendit janë jashtë funksionit. Sot presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se vendi s’ do të jetë edhe gjatë i bllokuar dhe pa institucione funksionale. Po ashtu sot […]

“Partitë që kanë keqqeverisur deri më sot, s’mund ta ndalin Kurtin drejt Kryeministrit” Foto: Ilustrim

Janë bërë më shumë se 3 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, por ende institucionet e vendit janë jashtë funksionit.

Sot presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se vendi s’ do të jetë edhe gjatë i bllokuar dhe pa institucione funksionale.

Po ashtu sot Thaçi para gazetarëve ka thënë se ka nënshkruar nomimin e kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti me shpresën se gjatë takimit që kishin bashkë ai do ta merrte atë.

Ai këto komente i bëri pas akademisë solemne “Faleminderit Shqipëri” në përkujtim të 21-vjetorit mikpritjes së Shqipërisë gjatë eksodit të popullit të Kosovës në vitin 1999.

“Kosova edhe gjatë nuk do të jetë e bllokuar. Do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe variacionet politike që kanë partitë për respektimin e vullnetit qytetarë”.

“Të gjithë qytetarët që kanë votuar duhet t’i respektojmë dhe unë vazhdoj të besoj fuqishëm që do të vazhdojmë t’i përmbushim detyrat që kemi. Për hir të korrektësisë, ju i dini ftesat që ia kam dërguar Kurtit për të marrë të drejtën e mandatarit për themelimin e Qeverisë”.

Po ashtu ai tha se nëse Kurti nuk është i gatshëm ose nuk pranon ta marrë vendimin për të qeverisur, atëherë mund ta refuzojë.

Pas këtyre deklarimeve, ku Thaçi tha se nuk është vetëm një adresë për krijimin e institucioneve të reja, ka reaguar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mefail Bajqinovci.

Deputeti i Kuvendit nga radhët e LVV-së, Bajqinovci ka thënë se adresa e vetme për mandatarin është ajo e fituesit të zgjedhjeve.

Po ashtu ai ka shtuar se ndryshimin nuk do të mund ta ndalin partitë që kanë keqqeverisur deri tani.

Reagimi i plotë:

Kosova e ka vetëm një adresë nga ku rrjedhë mandatari dhe bartësi i formimit të institucioneve: fituesin e zgjedhjeve. Kështu thotë demokracia, kështu thotë Kushtetuta por kështu nuk mendon dhe nuk ka dëshirë oligarkia. Megjithatë, zot i këtij vendi është dhe përjetësisht do të jetë Populli i Kosovës, i cili, më 6 tetor ka votuar ndryshimin, ka votuar opozitën dhe ka votëbesuar Albin Kurtin njeriun që ka marrë vota më së shumti që dikush ka arritur ndonjëherë të votohet.

Mund të vonohet por asaj që i ka ardhë koha, nuk ka establishment politik e oligarkik, i krijuar nga të gjitha partitë që e kanë (keq) qeverisur Kosovën deri më sot, që mund ta ndalë ndryshimin.

Sa më shumë që dikush i vihet popullit përballë veç e rëndon gjendjen e tij.