Parlamenti Evropian miraton rezolutën ku kërkohet hetim për zgjedhjet në Serbi

08.02.2024

Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë për zgjedhjet në Serbi, me të cilën kërkohet një hetim ndërkombëtar, e Komisioni Evropian kërkon që nëse vërtetohet vjedhja e zgjedhjeve, të ndërpriten fondet e Bashkimit Evropian në Serbi.

Parlamenti Evropian miraton rezolutën ku kërkohet hetim për zgjedhjet në Serbi Foto: Image: AFP/F. Florin

Rezoluta u miratua me 461 vota për, 53 kundër si dhe 43 abstenime.

Në rezolutë, Parlamenti Evropian i bën thirrje Komisionit Evropian që të dërgojë një mision ekspertësh në Serbi, i cili do të vlerësonte situatën dhe në këtë mënyrë do të hidhte themelet për një dialog social që do të rivendoste besimin tek institucionet, sipas shembullit të “Raporteve Pribe” që janë shkruar në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinë.

Dënohet mungesa e përgjigjes nga institucionet ndaj dyshimeve serioze për përfshirjen e qeverisë në manipulime dhe abuzime zgjedhore, “që rezulton në mosndëshkim dhe garanton vazhdimësinë e kësaj praktike”.