Parashikimi i motit për të premten: Vranësira, shi dhe një front i ftohtë që sjell ndryshime

10.01.2025

Të premten pritet një ditë me kushte atmosferike të ndryshueshme. Sipas parashikimeve meteorologjike, dita do të karakterizohet nga vranësira dhe intervale me diell.

Në orët e para të ditës dhe në mëngjes, në zona të caktuara mund të ketë reshje të izoluara shiu. Këto reshje pritet të jenë të shkurtra dhe me intensitet të ulët.

Ndryshimi më i dukshëm në kushtet atmosferike pritet të ndodhë gjatë pasdites dhe mbrëmjes, me depërtimin e një fronti të ftohtë. Fillimisht, ky front do të sjellë reshje lokale shiu, të cilat më pas pritet të shndërrohen në shqotë dhe borë, kryesisht në sasi të pakta.

Era do të fryjë me intensitet të ndryshueshëm dhe drejtime të ndryshme. Në fillim të ditës, era do të jetë më e dukshme nga jugperëndimi, ndërsa me kalimin e frontit të ftohtë, do të zhvendoset nga drejtimi i veriut, duke arritur shpejtësi deri në 15-50 km/h.

Temperaturat minimale për të premten parashikohen të lëvizin në intervalin 3-8°C, ndërsa ato maksimale prej 10-16°C. Pas kalimit të frontit të ftohtë, pritet një ulje e ndjeshme e temperaturave.