Parandalohet kontrabandë me cigare në Aeroportin “Adem Jashari” – Sekuestrohen 375 boksa të padeklaruara
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën kanë parandaluar dy raste të kontrabandës me cigare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, më datat 14 dhe 16 korrik 2025.
Foto: Ilustrim
Në të dy rastet, janë ndaluar dy shtetas të huaj që po tentonin të largonin nga Kosova rreth 375 boksa cigare të llojeve të ndryshme, të cilat ishin të padeklaruara dhe pa banderola. Cigaret ishin fshehur në valixhet e udhëtarëve dhe ishin dorëzuar në sportelin e check-in-it për fluturim me destinacion Londrën.
Sipas autoriteteve, mallrat janë zbuluar falë kontrollit të përbashkët të Policisë së Kosovës, Doganës dhe Njësitit të Informacionit të Pasagjerëve (PIU).
Llojet e cigareve të sekuestruara përfshijnë marka të njohura si Malboro i kaltër, i bardhë, i kuq, si dhe produkte të tjera komerciale.
Të gjitha sasitë janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës, ndërsa rastet janë proceduar për hetime të mëtejshme.
Policia dhe Dogana kanë theksuar angazhimin e tyre të vazhdueshëm për luftimin e kontrabandës dhe ruajtjen e rendit dhe ligjshmërisë në vend.