Paralajmërohet rritja e çmimit të rrymës në Kosovë për më shumë se 30 përqind

22.11.2021

Këtë e konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Kompanisë kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), duke thënë se kriza energjetike në Evropë prek direkt edhe Kosovën. “Rritja do të jetë e domosdoshme, mbi 30 për qind, në bazë të gjendjes së tanishme. Mirëpo, çfarë do të ndodhë gjatë muajve të dimrit, cili […]

Këtë e konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Kompanisë kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), duke thënë se kriza energjetike në Evropë prek direkt edhe Kosovën.

“Rritja do të jetë e domosdoshme, mbi 30 për qind, në bazë të gjendjes së tanishme. Mirëpo, çfarë do të ndodhë gjatë muajve të dimrit, cili do të jetë konsumi? Cili do të jetë çmimi i importit? Cili do të jetë pastaj edhe prodhimi vendor? Kjo e determinon edhe rritjen”, thotë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Qytetarët e Kosovës aktualisht paguajnë çmimin me të ulët në rajon për energjinë e shpenzuar elektrike. Për një kilovat në orë, ata paguajnë rreth 6 centë.

Sipas zyrtarëve të KEDS-it, çmimi në Kosovë nuk pritet të ndryshojë së paku deri më 1 prill, 2022, kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të bëjë rishikimin e rregullt të tarifave.

Përkundër shqetësimit të qytetarëve, në KEDS thonë se rritja e çmimit të rrymës do të jetë e domosdoshme, në rast se çmimet e importit të energjisë elektrike vazhdojnë të jenë të larta.

Zëdhënësi i KEDS-it, Buzhala, thotë se rritja e konsumit në Kosovë është vërejtur qysh në muajin tetor – gjë që, sipas tij, e ka shtyrë këtë kompani të importojë energji elektrike me çmim 4 deri në 5 herë më të shtrenjtë se vitin e kaluar.

“Në bazë të kalkulimeve që i kemi bërë – të çmimeve aktuale të importit – kostoja shtesë do të jetë diku rreth 60 milionë euro, mirëpo kjo mund të rritet apo të zvogëlohet, varësisht edhe nga konsumi dhe prodhimi vendor”, thotë Buzhala.

Sipas KEDS-it, çmimi mesatar për megavat/orë për energjinë e importuar në muajin tetor të vitit 2020 ka qenë 49 euro, për dallim prej tetorit të këtij viti, kur ky çmim ka arritur në 242 euro.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritja e çmimeve ka filluar nga muaji prill me 1.2 për qind, duke arritur në 4.9 për qind në muajin shtator./REL/