Paralajmërohet mbajtja e Testit të Maturës në fund të qershorit

Deri në fund të majit, Ministria e Arsimit planifikon t’i caktojë datat se kur do të mbahet testi i arritshmërisë për klasat e 9-ta dhe testi i maturës për ato të 12-ta.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë, këtë vit janë gjithsej 26 mijë e 261 nxënës të klasave të 9-ta dhe 25 mijë e 837 maturantë.

Ministrja Hykmete Bajrami ka thënë se komisionet e MASHTI-t janë duke punuar për të gjetur mënyra më të përshtatshme për organizimin e këtyre testeve në rrethanat kur vendi po ballafaqohet me pandemi, raporton KTV.

Ajo ka shtuar se do të shikojnë opsionet më të mira në mënyrë që të ruhet shëndeti i nxënësve.

“Derisa ministria nuk merr një vendim tjetër, Testi i Maturës është një opsion dhe ne mendojmë dhe shpresojmë shumë që të jemi në gjendje të organizojmë Testin e Maturës në fund të muajit qershor. Kjo do të bëhet nëse situata epidemiologjike lejon gjë të tillë duke respektuar në përpikëri rekomandimet e IKSHPK-së”, ka thënë Bajrami.

Bajrami ka bërë të ditur se për dallim nga viti i kaluar, këtë vit testin e maturës po mendojnë ta organizojnë në të njëjtën ditë dhe orë në të gjithë Kosovën.

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve të arsimit, Halim Hyseni, konsideron se Kosova nuk ka kushte që në këtë situatë të organizojë test të arritshmërisë dhe test të maturës.

Sipas tij, mbajtja e këtyre testeve do të jetë problematike sidomos për nxënësit që nuk kanë mundur të ndjekin mësim në distancë për shkaqe të ndryshme.

Mbajtja e testit të arritshmërisë dhe maturës është paraparë në muajin qershor edhe nga Ministria e Shëndetësisë sipas rekomandimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.