Paralajmërohet emërimi i Atasheut gjerman rezident në Kosovë

11.04.2024

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci bashkë me ambasadorin gjerman Jorn Rohde, sot gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit të pesë kamionëve si donacion gjerman kanë paralajmëruar emërimin e atasheut Rezident në Kosovë.

Paralajmërohet emërimi i Atasheut gjerman rezident në Kosovë Foto: Ilustrim

“Së shpejti do të nënshkruajmë Marrëveshjen e Mirëkuptimit ndërmjet dy shteteve, dhe Gjermania do të emëroj Atashe Rezident në Kosovë, me synim avancimin e ushtrisë në nivelin e standardeve të NATO-s, për t’i kontribuar paqes dhe sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë”, ka deklaruar Maqedonci.

Ndërkaq të njëjtën e konfirmoi edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, i cili qe i pranishëm në ceremoni.

“Dua të ritheksoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë janë të shkëlqyeshme dhe kemi një bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK, posaçërisht në fushën e sigurisë. Së shpejti ne do të nënshkruajmë një MoU (Memorandum të Mirëkuptimit) dhe përmes Zv Atasheut ushtarak të Gjermanisë do të kemi përfaqësim të përhershëm në Kosovë”, ka deklaruar Rohde.

Donacioni gjerman prej pesë kamionëve ka qenë në vlerë prej 2.7 milionë eurove, teksa ka ardhur në kuadër të investimit gjerman të vitit të kaluar prej 3 milionë e 800 mijë euro.