Paralajmërimi për rritje të çmimit të rrymës – qytetarët të shqetësuar, thonë se duhet të protestohet

23.11.2021

Këtë e konfirmuan zyrtarë të Kompanisë kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), duke thënë se kriza energjetike në Evropë prek direkt edhe Kosovën. “Rritja do të jetë e domosdoshme, mbi 30 për qind, në bazë të gjendjes së tanishme. Mirëpo, çfarë do të ndodhë gjatë muajve të dimrit, cili do të jetë konsumi? Cili […]

Paralajmërimi për rritje të çmimit të rrymës – qytetarët të shqetësuar, thonë se duhet të protestohet Foto: Ilustrim

Këtë e konfirmuan zyrtarë të Kompanisë kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), duke thënë se kriza energjetike në Evropë prek direkt edhe Kosovën.

“Rritja do të jetë e domosdoshme, mbi 30 për qind, në bazë të gjendjes së tanishme. Mirëpo, çfarë do të ndodhë gjatë muajve të dimrit, cili do të jetë konsumi? Cili do të jetë çmimi i importit? Cili do të jetë pastaj edhe prodhimi vendor? Kjo e determinon edhe rritjen”, thotë zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Qytetarët e Kosovës aktualisht paguajnë çmimin me të ulët në rajon për energjinë e shpenzuar elektrike. Për një kilovat në orë, ata paguajnë rreth 6 centë.

Sipas zyrtarëve të KEDS-it, çmimi në Kosovë nuk pritet të ndryshojë së paku deri më 1 prill, 2022, kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të bëjë rishikimin e rregullt të tarifave.

Përkundër shqetësimit të qytetarëve, në KEDS thonë se rritja e çmimit të rrymës do të jetë e domosdoshme, në rast se çmimet e importit të energjisë elektrike vazhdojnë të jenë të larta.

Zëdhënësi i KEDS-it, Buzhala, thotë se rritja e konsumit në Kosovë është vërejtur qysh në muajin tetor – gjë që, sipas tij, e ka shtyrë këtë kompani të importojë energji elektrike me çmim 4 deri në 5 herë më të shtrenjtë se vitin e kaluar.

Qytetarët shprehen të shqetësuar me këto paralajmërime, duke pohuar se çmimet edhe ashtu janë të papërballueshme.

Një qytetar tha se rritja e çmimeve çdo ditë e më shumë po e vështirëson jetën e tyre ngase populli po përballet me vështirësi financiare në vazhdimësi.

“Kjo nuk është mirë hiç po çka me i bë, nuk pajtohemi hiç po munden me na i rrit sa të duan”.

Përderisa një qytetar tjetër tha nëse rritet çmimi i faturave të energjisë, atëherë duhet të protestohet.

“Së pari këta të mëdhenjtë që i kemi këtu, çdo parti që ka shkuar veç për veti ka punuar. Këta munden me i ndal këto rritje por s’po duan vet”.

Ndërkaq, një qytetare tjetër ka thënë se nëse rriten rrogat mund të ketë edhe rritje të çmimeve të artikujve, pa përjashtuar edhe rrymën.

Edhe një qytetar thotë se për fat të keq rrogat janë të dobëta kurse energjia elektrike është tepër e shtrenjtë.

“Inshalla Qeveria merr diçka, ndonjë ofertë më të lirë e kanë pak kujdes për këtë popull”.

Sipas KEDS-it, çmimi mesatar për megavat/orë për energjinë e importuar në muajin tetor të vitit 2020 ka qenë 49 euro, për dallim prej tetorit të këtij viti, kur ky çmim ka arritur në 242 euro.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritja e çmimeve ka filluar nga muaji prill me 1.2 për qind, duke arritur në 4.9 për qind në muajin shtator.