Paralajmërimi i Kurtit për heqjen e tarifës 100%, nesër seancë e jashtëzakonshme

01.03.2020

Nesër më 2 mars, në orën 11:00, me kërkesë të 41 deputetëve, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, për të debatuar lidhur me paralajmërimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për heqjen e tarifës 100 për qind. Kështu ka vendosur Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e së […]

Paralajmërimi i Kurtit për heqjen e tarifës 100%, nesër seancë e jashtëzakonshme Foto: Ilustrim

Nesër më 2 mars, në orën 11:00, me kërkesë të 41 deputetëve, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, për të debatuar lidhur me paralajmërimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për heqjen e tarifës 100 për qind.

Kështu ka vendosur Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e së premtës, të drejtuar nga kryetarja Vjosa Osmani, në prezencë edhe të kryetarëve të grupeve parlamentare.

Kryesia ka konstatuar se kërkesa e deputetëve për thirrjen e kësaj seance, i plotëson kushtet formale-juridike, prandaj sipas praktikës, seanca do të mbahet sipas kërkesës së deputetëve nënshkrues.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Kryeministrit Albin Kurti për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe.

Haradinaj ka thënë se duhet konstatuar se ”Kurti është një mashtrues i madh publik”, dhe përmendi edhe moskonsultën e tij me partnerin qeverisës, njofton Klan Kosova.

”Sot mori një vendim të njëanshëm që si duket nuk e ka konsultuar as partnerin që e kanë në qeveri”.

”Po tingëllon që vet zoti Kurti është si një “Coronavirus” në Kosovë”.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së tha për Debat Plus, se sot janë depozituar nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme.

Ndryshe ditë më parë në një konferencë për media kryeministri Kurti prezantoi shtatë pika që qojnë deri tek heqja e tarifës 100%.

E para, si Qeveri e Kosovës, gjatë javës së ardhshme, do të marrim vendim, që nga data 15 mars 2020, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Kjo si shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë.

2. Ftojmë Serbinë që si përgjigje ndaj këtij vendimi të palës kosovare të zotohet se do ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe po ashtu të nis me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës. Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në ndalimin e fushatës jomiqësore dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave jotarifore me Kosovën, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do të heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe BeH për një periudhë prej 90 ditësh.

3.  Bashkimi Evropian ta vlerësojë lart vendimin e palës kosovare për ta hequr tarifën prej 100%, duke ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit më 7 maj 2020.

4. Në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës për eliminim të barrierave ekonomike, tregtare dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë nuk e pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marrëdhëniet me Kosovën, atëherë Qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill do të nis me implementimin gradual të principit të reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë e më pastaj edhe në atë ekonomike e politike.

5. Në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90 ditësh nga vendimi fillestar për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë, atëherë Qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qershor do ta rikthejë tarifën për importet nga Serbia, teksa vazhdohet implementimi i filluar me 1 prill i reciprocitetit.

6. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dalin që në fillim me instrumente të detajizuara dhe afate kohore që listojnë benefitet nga angazhimi i sinqertë i palëve në tejkalimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike; mekanizmat për evidentimin dhe adresimin preciz të mospërmbushjes eventuale të detyrimeve nga palët; dhe, po ashtu, edhe listimin e konsekuencave për palën jobashkëpunuese në proces.

7. Rivlerësimi i këtij vendimi varet nga rezultatet që ai prodhon në arritjen e këtyre objektivave. Reciprociteti i plotë tregtar, ekonomik dhe politik instalohet pas 15 qershorit.