Paraburgim për të dyshuarin për vendosjen e eksplozivit në veturën e drejtorit të QKUK-së
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit B.K., i cili dyshohet të jetë personi që vendosi eksplozivin në automjetin e drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Osman Hajdari, më 30 prill.
Sipas njoftimit të Gjykatës, B.K. ngarkohet me veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Zjarrvënia” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Gjyqtari i procedurës paraprake, pas shqyrtimit të provave dhe dëgjimit të palëve, ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit. Gjykata ka konstatuar se ekziston dyshimi i bazuar që i pandehuri B.K. ka kryer veprat e lartpërmendura.
“Gjykata ka konstatuar se në këtë fazë të procedurës ekzistojnë rrethana që tregojnë se ekziston rreziku i ikjes së tij, ku përdorimi i eksplozivit në një zonë me qarkullim të madh të njerëzve, përbën rrezik të lartë për jetën e njerëzve dhe sigurinë publike, mund të nxitet motivi tek i pandehuri për tu arratisur nëse lihet në liri. Gjykata vlerësoj se nga natyra dhe mënyra e kryerjes së veprave penale, rezulton se i pandehuri B.K. ka vepruar në mënyrë të planifikuar, të qëllimshme dhe me motiv financiar, gjë që e bënë të dukshëm rrezikun e përsëritjes së veprave penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjykata Themelore thekson se veprime të tilla, si vendosja e eksplozivit në veturën e një personi tjetër në zona të frekuentuara, pa motive personale por me pagesë, e bëjnë të pandehurin B.K. potencialisht të rrezikshëm për sigurinë e përgjithshme dhe për përsëritjen e veprave penale, madje edhe më të rënda.
“Andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale”, përfundon njoftimi i Gjykatës.