Pandemia rrit numrin e kredive për kosovarët, 188 milionë euro, për 2 muaj

Pandemia rrit numrin e kredive për kosovarët, 188 milionë euro, për 2 muaj
Çlirim Gashi

24.04.2021 / Lajme

Qytetarët e Republikës së Kosovës duket se s’po i ndal as pandemia që të zhyten në borxhe.

Përgjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti, vlera e kredive të reja ka kapur shifrën milionëshe.

“BQK nuk bën ndarjen e kredive, ato merren si total, pasi ka raste kur një klient mund t’i ketë më shumë se një kredi.

Përndryshe, ju njoftojmë se vlera e kredive të reja për dy muajt e parë të këtij viti (janar-shkurt 2021), ishte 188.2 milionë euro”, ka thënë për IndeksOnline, zëdhënësi i Bankës Qëndrore e Kosovës, Kushtrim Ahmeti.

Sipas të dhënavë nga BQK-ja, gjatë vitit 2020, vlera e kredive të reja të lëshuara nga sektori bankar ishte 1.47 miliardë euro,

“Kontributi i sektorit bankar në mbështetje të ekonomisë vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm edhe në aspektin e kreditimit, përkundër ngritjes së nivelit të rreziqeve me të cilat u ballafaquan bankat.

Gjatë vitit 2020, vlera e kredive të reja të lëshuara nga sektori bankar ishte 1.47 miliardë euro, përderisa vlera e përgjithshme e kredive aktive në sektorin bankar në dhjetor 2020 ishte 3.246 miliard euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 7.1% përqind”, thuhet në përgjigje.

RAPORTO