Palushi: Bizneset të lirohen nga pagesa e tatimeve, vonesa e formimit të institucioneve dëm për ekonominë

Palushi: Bizneset të lirohen nga pagesa e tatimeve, vonesa e formimit të institucioneve dëm për ekonominë

Qeveria e Kosovës duhet t’i lirojë nga pagesa e tatimeve për një periudhë të caktuar bizneset që janë dëmtuar si pasojë e pandemisë, ka thënë pronari i kompanisë “Frutex”, Shaqir Palushi.

Sipas Palushit, sektorët më të atakuar nga pandemia janë gastronomia dhe transporti.

“Fatkeqësisht po bëhet më tepër se një vjet prej se çka filluar pandemia dhe sigurisht që kjo ka reflektuar në keqësimin e gjendjes në shumë biznese sidomos në sektorë të caktuar të cilët pothuajse janë para falimentimit dhe po shpresoj që shumë shpejt fillon të bie numri i të infektuarve me këtë edhe të ketë mundësi hapjen e biznesit sidomos të gastronomisë dhe të transportit që janë dy prej sektorëve më të atakuar nga pandemia”, shtoi Palushi.

Mes tjerash, ai shtoi se çdo vonesë e krijimit të institucioneve të reja është e dëmshme për ekonominë e Kosovës.

“Qeveria duhet të bëjë më tepër se që ka bërë deri më tani duke i liruar nga pagesa e tatimeve për një periudhë të caktuar  atyre bizneseve që kanë pasur dëme më të mëdha nga kjo pandemi. Çdo vonesë e krijimit të institucioneve të reja është e dëmshme për të gjithë e në veçanti për ekonominë e Kosovës. Unë mendoj që ka pasur impakt pozitiv sepse janë ndihmuar të gjitha bizneset në mënyrë të barabartë do të duhej të veçohet që sektorët që janë dëmtuar më shumë të ndihmohen më tepër”, tha ai për Ekonomia Online.

Palushi theksoi se kompania “Frutex” ka pasur rritje të eksportit 25%, duke e mbuluar në këtë mënyrë humbjen e tregut vendor.

“Fatmirësisht kompania jonë ka pasur një rritje të eksportit 25% dhe e ka mbuluar humbjen e cila ka qenë në tregun vendor dhe kështu kemi operuar pozitivisht falë eksportit në rritje”, përfundoi ai.

RAPORTO