Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, Murati: Rishikimi i politikave tatimore do të bëhet në koordinim me sektorin privat

14.07.2021

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti ka prezantuar ditë më parë masat për Ringjalljen Ekonomike. Sot është mbajtur forumi i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ku u diskutuan çështjet kryesore në kuadër të Pakos së re të Ringjalljes Ekonomike për ndërmarrjet e […]

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti ka prezantuar ditë më parë masat për Ringjalljen Ekonomike.

Sot është mbajtur forumi i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ku u diskutuan çështjet kryesore në kuadër të Pakos së re të Ringjalljes Ekonomike për ndërmarrjet e goditura nga pandemia COVID-19 si: Rishikimi i mundshëm i politikave tatimore dhe luftimi i ekonomisë joformale.

Ministri Murati ka theksuar se rishikimi i politikave tatimore do të bëhet në koordinim të ngushtë me sektorin privat, ndërsa një vendim i tillë i mundshëm do të pasojë një analizë të të gjithë sektorëve të ekonomisë.

Po ashtu ai ka shtuar se Ministria e Financave vazhdimisht është duke bërë përpjekje në mënyrë që të ketë një pasqyrë të qartë të ekonomisë në vend dhe se të lansohet një fushatë formalizimi për të gjithë sektorët.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka theksuar se në politikat tatimore në Kosovë ka disa hapësira të cilat kërkojnë rregullim, pasi që mund të ndikojnë edhe në rritjen e mbledhjes të të hyrave buxhetore, por megjithatë ai ka thënë se në përgjithësi janë të konsoliduara mirë.

Ndërsa nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovës (OEAK), drejtori ekzekutiv i kësaj ode, Arian Zeka ka kërkuar nga ministri Murati që të shmanget mundësia e vendosjes së tatimeve të reja apo rritjes së normave ekzistuese tatimore.

Pasi që sipas tij ekziston mundësi reale që nga mbledhja e më shumë të hyrave buxhetore përmes luftimit të ekonomisë joformale.

Ndërsa në këtë forum edhe përfaqësuesit e ndërmarrjeve të sektorit privat kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me praninë e lartë të aktiviteteve joformale.