Pagat e ulëta dhe kushtet e punës, vetëm në këto tre muaj mbi 50 mjekë u larguan nga Kosova

23.03.2022

Ikja e trurit mjekësor nga Kosova po vlerësohet si shqetësuese për vendin. Natyrisht se arsyet personale të mjekëve që po largohen nga vendi nuk mund të dihen, por disa prej tyre ndoshta edhe mund të dihen, duke filluar nga pagat e ulëta. Kryetari I Odës së Mjekëve në Kosovë, Pleurat Sejdiu ka dhënë edhe informacione […]

Ikja e trurit mjekësor nga Kosova po vlerësohet si shqetësuese për vendin.

Natyrisht se arsyet personale të mjekëve që po largohen nga vendi nuk mund të dihen, por disa prej tyre ndoshta edhe mund të dihen, duke filluar nga pagat e ulëta.

Kryetari I Odës së Mjekëve në Kosovë, Pleurat Sejdiu ka dhënë edhe informacione sa I përket numrit të largimit të mjekëve në tre mujorin e pare të vitit 2022.

Sejdiu ka theksuar se brenda këtyre tre muajve të parë të këtij viti nga Kosova janë larguar 59 mjekë, në drejtim të shteteve të Evropës.

Me ikjen e mjekëve nga vendi, sipas Sejdiut po dëmtohet edhe sektori i shëndetësisë në Kosovë.

 “Vetëm në mujorin e parë të këtij viti një numër i madh i mjekëve janë larguar nga Kosova për në shtetet e perëndimit. Këtë vit 59 mjek të cilët kanë marrë dokumentin për regjistrim dhe licencim në shtetet e perëndimit, në veçanti për Gjermani dhe Austri. Është numër shumë i madh se vitet e kaluara, nëse flasim për periudhën 3 mujorin e parë”, thotë ai.

I pari I Odës së Mjekëve ka dhënë edhe disa arsye si kryesore që po bëhen shkaktarë të largimit të mjekëve nga vendi.

Sipas tij, njëra ndër arsyet kryesore që truri mjekësor po largohet nga vendi është edhe paga e ulët që po i ofrohet në Kosovë.

“Arsyet kryesore se pse mjekët janë larguar nga Kosova janë: kushtet e punës, kushtet e shkollimit specialistike dhe pagat në vendin tonë”, thotë Pleurat Sejdiu për arbresh.info.

Kujtojmë se gjatë vitit që lamë pas, nga vendi u larguan 210 mjekë, kështu duke kërkuar paga e kushte të punës sa më të mira në vende të ndryshme të Evropës.

Ndërsa, në sektorin publik shëndetësor në Kosovë janë rreth 14 mijë të punësuar, prej tyre rreth 6 mijë mjekë.

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi para disa jave kishte thënë se çështja më e rëndësishme në shëndetësinë kosovare ka qenë programi legjislativ i cili u miratua me 26 janar të këtij viti. Duke folur për udhëzimet që janë nxjerrë nga dikasteri që ai e udhëheq, ai ka thënë se synojnë kthimin e trurit të mjekëve në Kosovë.

Po ashtu, ai pasi kishte marrë postin e ministrit të Shëndetësisë kishte premtuar edhe ndalimin e trurit mjekësor nga Kosova.

“Ne do e ndërpresim largimin e trurit mjekësor në vendet tjera. Kur e ndreqim shtëpinë tonë, do kontribuojmë në rikthimin e trurit të larguar, për të ndihmuar Kosovën dhe shkencat mjekësore të Kosovës.

Me kthimin e trurit, do e ndërpresim edhe largimin e pacientëve të Kosovës në spitalet jashtë vendit. Pacientët tonë do rrinë në shtëpinë tonë, sepse ne kemi ekspertë. Ne do fillojmë më strategji afagjate, 20-30 vjeçare. Me këtë platformë afagjate, rezultatet nuk do shihen brenda ditës apo natës”, kishte thënë ministri Latifi.