Nënshkruhet marrëveshja mes RTK-së dhe Ministrisë së Financave, pagat ekzekutohen nesër

21.08.2025

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të RTK-së, Hysen Hundozi, ka njoftuar sot se është arritur marrëveshja për huadhënie me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, duke sjellë lajmin e mirë për punonjësit e këtij radiotelevizioni.

Përmes një shkrimi në profilin e tij në “Facebook”, Hundozi bëri të ditur se pas nënshkrimit të marrëveshjes, pagat e punonjësve do të ekzekutohen nesër, më 22 gusht 2025.

“Të nderuar kolegë, sapo e nënshkruam Marrëveshjen për huadhënie me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve. Pagat ekzekutohen nesër, më 22 Gusht 2025. Ju faleminderit për besimin dhe mirëkuptimin tuaj!”, ka shkruar Hundozi.

Ky zhvillim pritet të lehtësojë situatën e krijuar ditëve të fundit, duke siguruar stabilitet financiar për punonjësit e RTK-së.