Paga minimale në Kosovë duhet të caktohet sipas dispozitave ligjore
Janë bërë 11 vjet prej se paga minimale në Kosovë nuk ka lëvizur nga 170 euro me gjithë që mediat dhe njohës të ekonomisë vazhdimisht kanë ngritur zërin për këtë çështje. Eksperti i Ekonomisë, Erton Bega, thotë se shteti nuk e ka trajtuar asnjëherë problemin e punëtorëve që paguhen pak, andaj ai për Radio Kosovën […]
Janë bërë 11 vjet prej se paga minimale në Kosovë nuk ka lëvizur nga 170 euro me gjithë që mediat dhe njohës të ekonomisë vazhdimisht kanë ngritur zërin për këtë çështje.
Eksperti i Ekonomisë, Erton Bega, thotë se shteti nuk e ka trajtuar asnjëherë problemin e punëtorëve që paguhen pak, andaj ai për Radio Kosovën tha se paga duhet rritur sipas dispozitave ligjore.
“Meqenëse paga nuk është rritur sipas përcaktimeve ligjore, duke pasur parasysh inflacionin të cilin e kemi pasur gjatë kësaj periudhe 14 vjeçare, duke pasur parasysh rritjen ekonomike, paga minimale nuk duhet të ishte nën 300 euro neto”, thotë Bega.
Ai tha se qëndrimet e qeverisë dhe sindikatave në këtë pikë, duhet të përafrohen. Bega konsideron se rrethanat ekonomike kanë ndryshuar në mënyrë drastike prandaj qeveria duhet të jetë më tolerante.
“Një mes i artë ndërmjet dy propozimeve do të ishte zgjidhje ideale, në mënyrë që shumë punëtorë në vend të mos rrezikohen të mbesin në pagesën prej 170 eurosh si pagë minimale që e përdorin bizniset për të ulur kostot dhe për përfituar më shume në emër të fuqisë së lirë punëtore”, u shpreh ai.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli në prononcim për Radio Kosovën, tha se paga minimale duhet të rregullohet sipas një formule, e jo të flitet për të sikurse të ishim në treg.
“Puna e pagës minimale nuk është si me qenë treg, mirëpo është formulë që analizohet mirë dhe nxirret paga minimale. Nuk mund të flasim me shuma 350, 400 etj, duhet të kemi kujdes, sepse paga minimale ka formulë e cila e nxjerr lartësinë e saj”, tha Hykolli.
Mirëpo, ministri i Financave Hekuran Murati, ka thënë se qeveria ka propozuar pagën minimale 264 euro në muaj apo 1.5 euro në orë, që është në vijë edhe me premtimet e qeverisë për pagë minimale dhe lirimin e saj nga tatimi.
“Por pasi propozimi nuk mori votat e nevojshme, krejt çka arrihet me këtë mos-votim është se punëtorët e sektorit privat do të vazhdojnë ta kenë pagën minimale 170 euro” , ka shkruar Murati, i cili la të kuptohet se nuk mund të negociohet për ndonjë shumë tjetër përveç kësaj.