Pacolli: Takimi në Helsinki, mundësi që Kosova të jetë e barabartë me vendet tjera

Kryediplomati kosovar, Behgjet Pacolli, thotë se takimi në Helsinki është një mundësi që Kosova të jetë në mesin e miqve dhe të trajtohet në mënyrë të barabartë me vendet e tjera të BE-së.
“Kjo është një situatë e shkëlqyer për të qenë në mesin e miqve tanë dhe për të na trajtuar në mënyrë të barabartë si të gjitha vendet në Evropë”, tha ai.
Duke folur në një takim joformal të Këshillit të BE-së dhe partnerëve nga Ballkani Perëndimor, që po mbahet në Helsinki, ai theksoi se solli me vete “shumë përshëndetje nga vendi më i ri në Evropë”.
“Jemi me fat që jemi këtu në Finlandën e bukur, një vend që do të thotë shumë për Kosovën, pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj duke u mbështetur në deklaratën e Ahtisaartit”, shtoi ai, raportojnë mediat serbe.
Sipas shefit të diplomacisë kosovare, plani i diplomatit finlandez dhe të dërguarit special të KB për Kosovën Martti Ahtisaari është thelbi i Kushtetutës aktuale të Kosovës.