Pacienti i vdekur nga COVID-19, ka qenë në hemodializë

Të dielën është shënuar rasti i 21-të, i cili ka ka vdekur nga koronavirusi. Ky i fundit nga data 17 prill ka qenë duke u trajtuar në Klinikën Infektive, dhe gjendja e tij ka qenë e rëndë.

Infektologu Arben Vishaj për KosovaPress, thotë se pacienti nga rrethi i Gjilanit ka lindur në vitin 1976, dhe se ka qenë në hemodializë.

“Sot në orën 11:30 minuta për fat të keq ka humbur jetën edhe një pacient tjetër. Pacienti ka qenë i lindur me 1976, është nga rrethi i Gjilanit. Përndryshe ka qenë në hemodializë, ka pasur sëmundje tjetër dhe për fat të keq ka humbur jetën… pacienti kur ka ardhur ka qenë në gjendje shumë të rëndë. Ai gjatë tërë kohës ka qenë në hemodializë nga pamjaftueshmëria klinike të sëmundjes së veshkave. Ka qenë në një gjendje septike me infiltrim mushkëror dhe mjerisht sot ka pësuar fatalisht”, deklaron Vishaj.

Vishaj tregon se në Klinikën Infektive janë të shtrirë 60 persona, prej tyre pesë janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.

“Aktualisht në Klinikën Infektive ne i kemi 60 pacientë të cilët janë diagnostikuar me diagnozën Covid 19. Prej tyre pesë pacientë janë me oksigjenoterapi… përndryshe gjendja e pacientëve të tjerë është stabile. Ne i kemi edhe tre fëmijë, më i vogli është tetë muajsh, të moshës 1 dhe 2 vjeç dhe gjendja e tyre e përgjithshme është e mirë. Gjithashtu, i kemi edhe katër personel shëndetësor, janë infermier, të regjionit të Prizrenit dhe Gjakovës. Njëherit ne i kemi edhe dy paciente shtatzëna të cilat janë në gjendje në përgjithësi të mirë”, thekson Vishaj.

Vishaj thekson se gjatë ditës kanë pranuar edhe tre pacientë të tjerë, të cilëve u janë marrë analizat për t’u testuar nëse janë të infektuar me Covid-19.

Ndër të tjera, infektologu Arben Vishaj tregon se si po trajtohen pacientët tjerë të cilët janë në gjendje më të mirë.

“Këta trajtohen sipas protokolleve standarde të aprovuara nga Klinika Infektive. Zakonisht ofrdinojmë terapi mbështetëse simptomatike. Në disa raste ordinojme klorokin”, tha ai.

Sipas tij, gjendja në Klinikën Infektive është e menaxhueshme, marrë parasysh se 50 personat e shtritë në këtë klinikë janë në gjendje të mirë.

Ndryshe, deri më tani kanë rezultuar 731 persona me covid-19, prej tyre 165 janë shëruar, ndërsa me rastin e fundit sot janë 21 persona me koronavirus të cilët kanë vdekur.

RAPORTO