Pa kontratë pune, s’ka ndihmë nga Pakoja Emergjente

Punëtorët që nuk kanë kontrata, nuk paguajnë taksa dhe kontribute personale do ta kenë të vështirë të përfitojnë nga Pakoja Emergjente e qeverisë, kanë thënë zyrtarë qeveritarë.

Por, ata mund ta bëjnë një gjë të tillë nëse nënshkruajnë marrëveshje me punëdhënësin për së paku një vit.

Me këtë mekanizëm, qeveria planifikon të ulë informalitetin në sektorin e punës në Kosovë i cili sipas disa të dhënave të Bashkimit Evropian, ekonomia informale është baraz me 40 përqind të ekonomisë ose bruto prodhimit vjetor.

Qeveria e Kosovës tashmë ka ndarë mbi 170 milionë euro si pako stimuluese për tejkalimin e krizës ekonomike. Punëtorët që kanë humbur punën gjatë dy muajve si pasojë e krizës së COVID-19 do t’i marrin nga 170 euro në muaj.

Zëvendësministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Agim Krasniqi, tha për Radion Evropa e Lirë, se për ata të cilët kanë punuar në “të zezën” punëdhënësi duhet që t’i pajisë me kontrata njëvjeçare. Ai thotë se Qeveria është e interesuar të vendos rregull në tregun e punës.

“Është një pikë e vecantë brenda masave, që kërkon që këto kompani t’i formalizojnë punëtorët, t’i regjistrojnë, t’i sigurojnë kontrata se paku njëvjeçare dhe këta punëtorë automatikisht do jenë pjesë e përfitimeve. Ne jemi të interesuar të formalizojmë këtë sektor”, tha Krasniqi. /REL/

RAPORTO