OVL-UÇK dënon ashpër nderimin e Ratko Mlladiqit: “Serbia po rehabiliton ideologjinë e gjenocidit”
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar ashpër ndaj, siç e quan, përpjekjes së Serbisë për të lartësuar figurën e Ratko Mlladiqit dhe për ta kthyer varrimin e tij në akt nderimi shtetëror.
Përmes një reagimi të publikuar në Facebook, OVL-UÇK thotë se paraqitja e Mlladiqit si hero kombëtar, ndonëse i dënuar për krime lufte, përbën fyerje ndaj viktimave dhe rehabilitim të ideologjisë që, sipas organizatës, prodhoi gjenocid, masakra, dëbime dhe varreza masive.
“Beogradi sërish refuzon të përballet me të kaluarën e vet kriminale”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së, duke shtuar se Serbia “vazhdon ta ushqejë po atë ideologji që shkaktoi masakrat, dëbimet dhe varrezat masive”.
OVL-UÇK vlerëson se një qasje e tillë përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Në përfundim, organizata thekson se kujtimi dhe dinjiteti i viktimave nuk mund të negociohen.
“Kujtimi dhe dinjiteti i viktimave nuk negociohen. As tani, as kurrë”, përfundon reagimi i OVL-UÇK-së.
