16.09.2019, 9:42

OVL-ja ka ngritur padi ndaj ish-luftëtares për “Shpifje”

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka ngritur padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj ish-luftëtares Valentina Haliti për “Shpifje” në adresë të kryetarit të OVL-së Hysni Ngucati, duke kërkuar kompensim të demit material prej 20 mijë eurove, ndërkohë në kundërpërgjigje Haliti ka kërkuar nga OVL-ja 30 mijë euro për “Kompensim të shkaktimit të ngarkesës psikike”.

Haliti: Më kanë kërcënuar edhe me jetë.

“OVL-ja e UÇK-së dhe kryetari i saj Hysni Ngucati kanë shitur certifikata të veteranëve nga 3 mijë euro, le të dalin këtu para meje se unë jam dëshmitare”.

Këto fjalë të ish-luftëtares së UÇK-së Valentina Halitit, e cila si 17-vjeçare nga Shqipëria kishte hyrë në Kosovë dhe i ishte bashkuar luftës së UÇK-së në Zonën Operative të Drenicës, të thëna në protestën e veteranëve të luftës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, më 9 tetor 2017, kanë nxitur Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së që të ngrejë padi kundër saj për “Shpifje dhe fyerje” ndaj kryetarit të OVL-së Hysni Ngucati. OVL-ja ka kërkuar nga ajo kompensimin e dëmit moral për “Shpifje”, sajesa të qëllimshme dhe fyerje publike që ka ushtruar radhazi dhe paskrupullt mbi paditësin.

LEXO EDHE:  Numri i fletëvotimeve të pavlefshme shkon mbi 40 mijë të tilla

OVL-ja e UÇK-së: Valentina shpifi kundër kryetarit, duhet t’i paguajë 20 mijë euro

“Më 09.10.2017 e paditura Valentina Haliti, duke mbajtur fjalimin e saj në protestën e veteranëve në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, për shkak të ndërprerjes së pensioneve të UÇK-së, ka shpifur kundër kryetarit të OVL-së Hysni Gucati dhe organizatës, që sipas saj ‘kanë shitur certifikata të veteranëve për 3 mijë euro’, të cilat deklarata, duke u publikuar në të gjitha mediet e shkruara dhe elektronike, kanë përhapur të pavërteta për organizatën dhe kryetarin e saj dhe në këtë mënyrë kanë ulur dhe rrezikuar seriozisht besueshmërinë dhe reputacionin e paditësit. Duke u thirrur në deklarata të pavërteta të të paditurës, mediet, të cilat i kanë publikuar këto shprehje, e kanë ekspozuar paditësin para një gjykimi dhe vlerësimi negativ të publikut dhe anëtarësisë së saj. Në këtë mënyrë ia kanë shkaktuar një dëm të madh moral kryetarit dhe organizatës, duke e vënë në dilemë besueshmërinë e OVL-së dhe të kryetarit të saj Hysni Gucati para anëtarësisë, para institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet mes të tjerash në padinë e OVL-së së UÇK-së, për të shtuar si provë “shkrimet e botuara në mediet elektronike”.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.