Osmani: Vrasja e sotme e gruas në Pejë është femicid

16.04.2024

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vrasjen e sotme në Pejë e ka quajtur femicid që ka marrë përmasa të jashtëzakonshme.

Osmani: Vrasja e sotme e gruas në Pejë është femicid Foto: Ilustrim

Osmani nga Forumi për Gruan, Paqen dhe Sigurinë, bëri thirrje që të gjithë bashkë të angazhohen për ndaljen e vrasjeve te vajzave dhe grave në Kosovë.

“Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht dhe mënyra e vetme për ta ndalur atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet e si komb. Rizgjohemi të gjithë në këmbë kundër këtij fenomeni, sepse nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur”, ka thënë presidentja Osmani.

Presidentja u ka bërë thirrje të gjithëve, aktivistë të shoqërisë civile, institucione të sigurisë dhe të drejtësisë, qytetarë, gra e burra bashkë, që të bashkohen kundër dhunës mbi bazë gjinore.

“E kemi detyrë gjithsecili prej nesh, që ta luftojmë këtë fenomen dhe t’i mbrojmë vajzat e gratë, dhe t’i mbrojmë gjithë qytetarët e shtetit tonë”, ka shtuar Osmani.

Sot është vrarë një grua në Pejë, ku dyshohet se dorasi ishte bashkëshorti. Rastin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi. I dyshuari është arrestuar e në vendin e ngjarjes.

“Në Pejë ka ndodhur një rast i vrasjes, ku dyshohet se në një banesë në qendër të Pejës bashkëshorti ka privuar nga jeta gruan e tij. Aktualisht në vendin e ngjarjes është kryeprokurori, prokurori, krimet e rënda dhe të gjitha ekipet relevante. Po e presim Mjekësinë Ligjore për të marrë trupin e pajetë. Është arrestuar i dyshuari”, ka thënë Nikçi.