Osmani takon Senatorin Ted Cruz në Washington DC: Thekson rëndësinë e partneritetit me SHBA-në
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ku po qëndron për një vizitë zyrtare Washington DC. Në kuadër të takimeve, ajo ka zhvilluar një bisedë me Senatorin republikan Ted Cruz, duke u fokusuar në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Osmani ka ndarë detaje mbi takimin me Senatorin Cruz, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në adresimin e sfidave të përbashkëta dhe eksplorimin e mundësive të reja për bashkëpunim.
“Forcimi i partneritetit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, adresimi i sfidave të përbashkëta dhe shkëmbimi i ideve për bashkëpunim në fusha të interesit të dyanshëm ishin në fokus të takimit me Senatorin republikan Ted Cruz. Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat jetik për Kosovën dhe jemi mirënjohës për mbështetjen dhe përkushtimin e Senatorit Cruz ndaj vlerave dhe vizionit tonë të përbashkët,” ka deklaruar Osmani.
Vizita e Presidentes Osmani në Washington DC pritet të përfshijë edhe takime të tjera të rëndësishme me përfaqësues të lartë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve.