Osmani: Prezenca ushtarake e policore e Serbisë në Kosovë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë në vitin 1999

17.02.2024

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot në seancën solemne për nder të 16-vjetorit të pavarësisë ndër të tjera përmendi edhe sulmin terrorist nga Serbia që ndodhi më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.

Osmani: Prezenca ushtarake e policore e Serbisë në Kosovë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë në vitin 1999 Foto: Ilustrim

Ajo tha se reagimi ndaj agresionit serb, më 24 shtator në veri të vendit ishte i duhuri dhe i tillë do të jetë çdoherë, ndërsa tha se prezenca ushtarake e policore e Serbisë në Kosovë ka përfunduar një herë e përgjithmonë.

“Reagimi ynë ndaj agresionit serb ishte i vendosur dhe ju siguroj që i tillë do të jetë çdoherë. Le të jetë e qartë, prezenca ushtarake e policore e Serbisë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë në vitin 1999 kur qiellin e Kosovës e pushtoi fryma e lirisë. Në mëngjesin e 24 shtatorit, policët kanë dëshmuar përkushtim për të mbrojtur vendin e tyre. Kosova është dhe do të mbetët e lirë dhe sovrane”, tha Osmani.

Ajo më tej tha se aleanca me SHBA-të qëndron si shtylla më e fuqishme e shtetësisë sonë.

“Aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara qëndron si një shtyllë e shtetësisë sonë, ndërkaq rrugëtimi ynë drejt institucioneve euro-atlantike është i paalternativë. Këto partneritete, bazuar në respektin e ndërsjellë dhe vlerat e përbashkëta, kanë qenë dhe mbeten jetike për zhvillimin e shtetit tonë. Këto aleanca na kujtojnë se lufta jonë për liri e shënjuar me gjakun e të gjithë atyre që u sakrifikuan në mënyrën më sublime, dallohet edhe për mbështetjen e pakursyer e të shenjtë nga ata që ndajnë me ne angazhimin e përbashkët për demokraci, sovranitet dhe dinjitet. Kosova fitoi jo vetëm sepse kishte të drejtë, por edhe sepse veproi mençur e ndërtoi vizion dhe aleanca të bazuara në vlera”, tha ajo.